Pastrim parash, ndalohet në Shqipëri indiani

schedule11:41 - 22 Mars, 2019

schedule 11:41 - 22 Mars, 2019

Policia e Tiranës prangosi një shtetas indian i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash, me qëllim ekstradimi drejt vendit të origjinës. Hitesh Patel, u arrestua në Rinas në momentin që do largohej nga territori ynë. Sipas Policisë së Shtetit, Patel ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol New Delhi në Indi, ndërsa gjykata kishte lëshuar më herët ndaj tij urdhër-arresti për veprën penale “Pastrimi i parave”.

Biznesmeni Hitesh Patel akuzohet për skandalin për mashtrimin bankar ku ishte përfshirë grupi Sterling Biotech group. Interpoli lëshoi mandatin e arrestit për të në 11 Mars. Sipas “Times of India”, agjencitë ligjzbatuese të Indisë kanë nisur menjëherë kontaktet me Interpolin dhe autoritetet shqiptare, për të nisur sa më parë procedurat e ekstradimit të Patel në Indi. 59-vjeçari është kunati i vëllezërve indianë Nitin dhe Chetan Sandesara, të cilët zotërojnë grupin Sterling Biotech group.

Patel ka menaxhuar pronat e tyre dhe është një shtetas amerikan. Sipas akuzave, Patel ishte ai që vendoste drejtorë – kukulla për kompani mburojë që përdoreshin nga vëllezërit Sandesaras kryesisht për pastrim parash. Ai gjithashtu ka mbajtur postin e drejtorit në disa kompani dhe ka marrë kredi për blerjen e disa pronave. Autoritetet indiane dyshonin se vëllezërit Sandesara ishin arratisur në Nigeri, por prej Shkurtit të vitit të kaluar, ata janë bërë shtetas shqiptarë dhe janë duke investuar në ndërtimin e pallateve në Tiranë. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit, pohojnë për ABC News se, ndaj vëllezërve Sandesara nuk ka asnjë urdhër ndalimi nga Interpoli, pasi në të kundër do të ishte bërë prangosja e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!