Ylli Doçi, Orjola Pampuri dhe Ina Zhupa këtë të martë ishin të pranishëm në “Abc e Pasdites” ku biseduan mbi të qenurit vetëm për shkak të pandemisë. Ylli Doçi tha se edhe Zoti e ka krijuar njeriun që të jetë social dhe të jetojë në një rreth shoqëror jo i vetëm. Ndërkohë u ndalën tek rregullat që në shumë raste nuk respektohen nga politika në tërësi. Doçi u shpreh në program se i është vendosur gjobë kishës në Pogradec, ndërkohë që ka tubime gjithandej.
“Fatkeqësia është që po na venë gjoba tani në Pogradec. Nuk i vendosin gjoba klubeve po I vënë gjoba kishës, ndonëse janë duke mbajtur maskat. Ne jemi promotorët e një socializimi të shëndetshëm dhe me vlera dhe qeveria duhet të na inkurajojë, jo ta penalizojë duke ju vënë gjoba kishave tona”, tha pastor Ylli.
Doçi ngriti dyshime për situatën e vaksinimit dhe pandemisë duke aluduar për strategji, madje të ekzagjeruar.
“Miku im ke dëgjuar për vaksinën? Kjo më bën përshtypje dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj që ka një strategji ekzagjerimi. Ne thamë vaksina është përgjigja ndaj këtij virusi. U gjet vaksina dhe unë nuk kam dëgjuar një duartrokitje “u gjet vaksina”. Vaksina është përgjigja, por pse nuk ka një entuziazëm?”, tha Doçi.
Në fund Ermali i pyet nëse do ta bënin vaksinën. Orjola tha se në vendin tonë ka shumë pak vaksina në numër ndaj edhe njerëzit janë pesimistë. Por patjetër që do e bënte vaksinën. Të njëjtën përgjigje dha edhe Ina Zhupa, e cila nënvizoi se do preferonte t’ja jepte prindërve në fillim. Ndërkohë që pastori Ylli Doçi tha se të krishterët do vaksinohen të fundit./abcnews.al