Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Rama: Gati dëmshpërblimet/ Kryeministri: Masa ndaj ndotësve, verifikimi i dëmeve vijon

schedule09:54 - 11 Janar, 2026

schedule 09:54 - 11 Janar, 2026

Qeveria do të jetë krah banorëve të prekur nga përmbytjet.

Kryeministri Edi Rama nënvizoi se mbështetja ndaj të dëmtuarve do të jetë e menjëhershme ndërsa strukturat ndodhen në terren për të verifikuar dëmet në banesa, gjënë e gjallë apo toka bujqësore.

“Ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë. Puna jonë intensive nuk mbyllet me përmirësimin e situatës së motit, por do të vazhdojë me riparimin e dëmeve në infrastrukturë dhe të çdo dëmi në familjet e prekura nga uji. Ekipet tona të verifikimeve janë në terren që nga dita e parë, ndërkohë që Ministria e Financave e ka të përgatitur tanimë të gjithë planin me skenarët e dëmshpërblimit. Presim rezultatin përfundimtar të verifikimeve për të kaluar në fazën e dëmshpërblimeve”, tha kryeministri.



Por përtej sasisë së lartë të reshjeve, Rama thotë se peshë në këtë situatë ka patur dhe faktori njeri. Shefi i qeverisë i cilësoi kriminale prurjet e plastikës nga lumenjtë ndërsa paralajmëroi paketë masash për ndotësit e mjedisit.

“Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet. Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu”, u shpreh Rama.

Rama tha se rreth çerek miliardë euro janë investuar në infrastrukturën e kullimit të mbrojtjes ndërsa një përgjigje e kishte dhe për kundërshtarët politike.

“Kur ne erdhëm në qeveri, në malin e borxheve që na lanë trashëgim aleatët e sotëm të fatkeqësive, ishin edhe dy kodra të larta borxhesh nga përmbytjet e zonës së Shkodrës. Ne i shlyem një më një ato borxhe për ata njerëz dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit e këtij vendi, sepse erdhëm për të ndërtuar një Shqipëri tjetër dhe kjo është Shqipëria tjetër, që nuk i le vetëm njerëzit e saj. Kurrë më!”, shtoi kreu i qeverisë.

Në podcastin e kësaj të diele, Rama komentoi dhe takimin me ministrin e drejtësisë së Francës për kodin e ri penal.

“Na duhet një reflektim i madh, serioz dhe largpamës mbi politikën penale në Shqipëri, sepse duhet të adresojmë problematika të mprehta, por njëkohësisht të mbrojmë pavarësinë, të nxisim paanësinë dhe të rrisim cilësinë e drejtësisë në këtë vend, ku kemi më në fund një drejtësi të pavarur, falë lidershipit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe mbështetjes bipartizane të popullit shqiptar, po nuk kemi ende as një drejtësi të paanshme e as një drejtësi cilësore. Nuk është e lehtë, por unë nuk i jam përkushtuar politikës për të bërë gjëra të lehta apo për t’i marrë lehtë gjërat”, përfundoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!