Paskal Milo për negociatat: Qeveria shqiptare përgjegjëse

schedule21:17 - 29 Tetor, 2019

schedule 21:17 - 29 Tetor, 2019

I ftuar në Mbrëmje Abc me gazetaren Mirela Milori ka qenë kryetari i PSD, historiani dhe ish-Ministri i Jashtëm Paskal Milo. Në bisedën e zhvilluar në studio me gazetaren Mirela Milori, Milo tha se Yuri Kim, e nominuara për ambasadore në Shqipëri, do të ishte një ambasadorë e vazhdimësisë dhe se nuk kishte elemente të reja në deklaratat e saj ditën e sotme përpara komisionit për politikën e jashtme në senatin amerikan. Milo gjithashtu foli edhe për mos hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, ku sipas tij përgjegjësia bie edhe mbi qeverinë shqiptare pasi nuk arriti të menaxhojë si duhet procesin e reformave.

Pjesë nga biseda në studio:

Mirela Milori: Duket se Yuri Kim e njihte mirë situatën në Shqipëri pasi theksoi se do të inkurajojë Shqipërinë në zbatimin e reformave, si e shihni kandidaturën e saj?

Paskal Milo: Nuk është se pashë elemente të reja në ato që tha. Gjithsesi aty u tha se ajo do të punojë që në Shqipëri të arrijë në 2 % shuma e shpenzimeve ushtarake të Shqipërisë ashtu sikurse foli edhe për investimet amerikane, pra për të krijuar një terren të përshtatshëm për këto investime, e cila mendoj se do ishte një risi, në rast se vërtetë do të kishim hapësira më të mëdha, dhe mundësi më të mëdha, që të vijnë investitorë amerikanë të investojnë në ekonominë shqiptare, këtë do të quaja një element të ri dhe të suksesshëm të saj në rast se do e realizonte. Mendoj se Yuri Kim do të jetë një ambasadore e vazhdimësisë dhe jo reformatore por gjithsesi mbetet për tu parë në vazhdim.

Ndërsa në lidhje me mos hapjen e negociatave Milo tha se qeveria mban përgjegjësi për procesin e reformave por edhe problematika e brendshme e BE ishte pengesë.

Mirela Milori: Moshapja e negociatave, si e shihni këtë situatë?

Paskal Milo: Unë e shoh jo aq shume me emocione sa po shihet në Shqipëri, që në fakt ushqehet nga të dy kampet politike. Çdo qeveri, aq më shumë qeveria aktuale shqiptare, ka përgjegjësi për mënyrën se si e menaxhoi procesin e reformave për integrimin. Do të ishte naive në rast se do të ekskludohej përfundimisht përgjegjësia e Shqipërisë por patjetër që kriza e brendshme e BE dhe vizioni që ka Macron, për një reformim të brendshëm të BE, patjetër që ka qenë një pengesë, dhe kjo penalizoi më shumë Maqedoninë e Veriut, për të cilën nuk pati aq ankesë sa pati për Shqipërinë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!