Ndryshe nga një pjesë e të rinjve që kanë zgjedhur vetë të ndjekin një kurs arti, rrugëtimi në valle i 18-vjeçarit, Ibrahim Rrustemaj nisi pa dëshirë.
Ishin prindërit ata që vendosën ta regjistronin Ibrahimin në kurs kërcimi në moshën 5-vjeçare. Askush nuk e mendonte se ky “imponim” do të kthehej në një pasion të madh, ndoshta edhe në profesionin e jetës.
“Ndryshe nga të tjerët që kanë shkuar me dëshirë, unë nuk kam shkuar me dëshirë. Më kanë çuar prindërit atje, që mos të rrija kot në shtëpi, por të aktivizohesha me diçka. Nuk e kisha menduar asnjëherë që nga një imponim i prindërve për të shkuar në kurs, të kthehej në pasion, ndoshta edhe në profesion. Nuk e mendoja që do të ishte kaq afatgjatë.”, shprehet Ibrahim Rrustemaj.
18 vjeçari nga Tropoja, numëron mbi një dekadë në skenë. Gjatë viteve të shkollës së mesme në gjimnazin “Qemal Stafa”, Ibrahimi krijoi edhe ansamblin e këngëve e valleve duke angazhuar edhe shumë të rinj të apasionuar pas folklorit shqiptarë. Sipas tij, puna e palodhur është shpërblyer më së miri.
“Dy çmime që dua të veçoj janë çmimi i parë në shkallë republike për grupmoshën time dhe çmimi në Zvicër me shoqatën ‘Iliria’, ku u vlerësua si më e mira vepra ime.”, tregon ai.
18-vjeçari ka zgjedhur të studiojë për Inxhinieri Mjedisi, ndërsa pasionin që ka për kërcimin e trashëgon edhe tek brezat e rinj. Pasi prej më shumë se një viti ai punon koreograf në Zvicër, dhe mëson mbi 100 fëmijë, shumë prej të cilëve janë lindur dhe rritur jashtë Shqipërisë. Përmes valles, ata synojnë të ruajnë lidhjen me rrënjët dhe identitetin kombëtar.
“Ata kanë një boshllëk brenda tyre që janë lindur e rritur jashtë, por zemrën e kanë në Shqipëri. Dhe këtë boshllëk mundohen ta plotësojnë duke mësuar kulturën dhe folklorin shqiptar.”, shprehet ai.
Megjithatë, përtej çdo trofeu, ai beson se vlerësimi më i madh vjen nga publiku.
“Nëse publiku duartroket, ngrihet në këmbë apo jep komente pozitive, ai është çmimi më i mirë për ne.”, tha Ibrahim Rrustemaj.
Nga një kurs i nisur pa dëshirë, në një mision për të ruajtur traditën shqiptare, kjo është historia e një pasioni që lindi rastësisht, por u kthye në përkushtim të përjetshëm.


