Angelina Jolie dhe Brad Pitt kanë arritur marrëveshje për divorcin e tyre, pas tetë vitesh proces gjyqësor, siç ka bërë të ditur avokati i aktores, James Simon.
Siç tha avokati i saj, “Rreth tetë vjet më parë, Angelina bëri kërkesë për divorc nga zoti Brad Pitt. Ajo dhe fëmijët lanë të gjithë pasurinë e paluajtshme që kishin ndarë me z. Pitt dhe që atëherë është fokusuar në gjetjen e paqes dhe shërimit për familjen e tyre. Kjo është vetëm një pjesë e një procesi të gjatë në vazhdim që filloi tetë vjet më parë. Sinqerisht, Angelina është e rraskapitur, por është e lehtësuar që kjo pjesë ka mbaruar”.
Sipas The Guardian, dokumentet gjyqësore nuk janë depozituar ende, pasi një gjyqtar do të duhet të nënshkruajë marrëveshjen. Detajet e marrëveshjes, natyrisht, nuk janë bërë të ditura, pasi gjyqtari privat e ka mbajtur të fshehtë procesin.
Angelina Jolie dhe Brad Pitt ishin ndër çiftet më të kërkuar në Hollywood. Njoftimi i divorcit erdhi si një rrufe në vitin 2016. Edhe pse çifti kishte probleme, pika e fundit ishte një grindje që ata patën në një fluturim me avion privat nga Evropa në SHBA. Jolie e akuzoi Pitt se kishte abuzuar me të dhe fëmijët e tyre. Edhe pse kundër tij nuk u ngrit asnjë akuzë. Në vitin 2019 ata u divorcuan zyrtarisht, por që atëherë filloi mosmarrëveshja ligjore për kujdestarinë e fëmijëve dhe ndarjen e pasurisë./abcnews.al