Pas rritjes së rasteve me Covid-19, Franca, Spanja dhe Britania vendosin masa të reja lokale

schedule10:17 - 19 Shtator, 2020

schedule 10:17 - 19 Shtator, 2020

Vendet europiane kanë vendosur kufizime të reja pasi rastet globale me COVID-19 arritën mbi 30 milionë të infektuar. Autoritetet në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë vendosur masa të reja për të luftuar përhapjen e virusit, pas rritjes së rasteve në qarqe, gjithashtu edhe Spanja ka futur në fuqi disa rregulla të reja, raporton euronews

Masat lokale në Mbretërinë e Bashkuar

Qeveria Britanike ka njoftuar një seri bllokimesh lokale në zonat e saj më të prekura dhe nga e hëna, do  të hyjnë në fuqi rregullat e reja. Shifrat nga Zyra e Statistikave Kombëtare të vendit kanë raportuar 6,000 raste të reja gjatë javës së parë të shtatorit – duke sinjalizuar për një rritje të numrit të infeksioneve në javët e fundit, raporton abcnews.al

Të enjten, qeveria njoftoi se do të vendoste kufizime më të ashpra në verilindje të Anglisë, masa të cilat do të prekin rreth 2 milionë banorë. Njerëzit në qytetet e Newcastle dhe Sunderland nuk do të lejohen të takohen me persona të tjerë jashtë familjes  dhe vendet argëtuese do të lejohen të qëndrojnë të hapura deri në orën 10.

Masa të rrepta do të vendosen edhe në zona të reja lokale si : Wolverhampton, Oadby & Wigston në Midlands, dhe pjesë të Bradford, Kirklees dhe Calderdale në West Yorkshire. Masat do të ndryshojnë midis zonave, tha Sekretari i Shëndetësisë i Mbretërisë së Bashkuar, Matt Hancock, transmeton abcnews.al

Janë ashpërsuar masat në ‘zonat e kuqe’ të Francës

Në Francë, janë vendosur kufizime më të rrepta pas rritjes së rasteve që kaluan  10,000 të infektuar gjatë fundjavës.  Qytetarëve në “zonat e kuqe”  si në Lyon dhe Nice  u është njoftuar se masat e reja do të hyjnë në fuqi gjatë fundjavës.

Nevojitet një veprim ‘vendimtar’ në Madrid

Ndërsa Spanja po lufton me rritje të rasteve të reja, niveli i vdekshmërisë është  aktualisht shumë poshtë totalit të regjistruar në pranverë. Madridi është kthyer sërish në qendër të shpërthimit, ndërsa drejtori i OBSH-së i përshkroi normat e transmetimit si “alarmante”, transmeton abcnews.al

Zyrtarët  kanë bërë thirrje për një veprim “vendimtar” nga qeveria, pasi  spitalet në kryeqytet janë mbingarkuar. Qeveria rajonale e Madridit të premten njoftoi kufizime të reja për sa i përket lëvizjes së qytetarëve, që do të hyjnë në fuqi të hënën.

Masat do të prekin njerëzit që jetojnë në 37 zona më të prekura nga Covid-19. Banorët në këto zona do të lejohen të marrin pjesë në aktivitete thelbësore të tilla si  shkollë ose punë, ose për t’u kujdesur për personat në nevojë, tha Isabel Díaz Ayuso.

Grumbullimet  do të kufizohen në gjashtë persona dhe parqet publike do të mbeten të mbyllura. s.ba/abcnews.al