Pas rënies së qeverisë nis “loja” e afateve, analisti Qorolli: Kurti tregoi që do të jetë i pamëshirshëm në luftën kundër korrupsionit

schedule10:53 - 27 Mars, 2020

schedule 10:53 - 27 Mars, 2020

Analisti Vigan Qorolli në një lidhje më “ABC e Mëngjesit” ka folur për situatën politike në Kosovë. Ai u shpreh se Kurti tregoi se do të jetë një kryeministër i fortë dhe pa kompromis.

I ndalur te rrëzimi i qeverisë Kurti, analisti theksoi se kjo nuk ishte koha e duhur për këtë mosmarrëveshje politike pasi vendi tashmë i prekur nga pandemia dhe duhet bashkëpunim për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

“Ka një keqkuptim të deklaratave amerikane. SHBA kërkon që të hiqet taksa. Deklarata e mbrëmshme e SHBA-ve rikonfirmoi heqjen e taksës. Tashmë taksa ndaj Serbisë rrëzoi dy kryeministra. Qeveria Kurti ra për tu bërë edhe njëherë kurban i mosmarrëveshjes së elitës politike.

Në vend që të bashkohen elitat tona politike u përçanë më tepër. Nuk dimë nëse në ditët në vijim do të kemi një qeveri të re. Në këtë situatë që jemi me pandemi zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të pamundura. Ka ende një paqartësi se si do të procedohet më tej”, tha Qorolli.

Gjithashtu ai u shpreh se Albin Kurti tregoi që do të jetë i pamëshirshëm në luftën kundër korrupsionit.

“Të gjitha emërimet që bëri nuk ishin as militantë dhe as familjarë të tij dhe kjo bëri që të rritej besimi. Por Isa Mustafa është politikani më jetëgjatë në Kosovë. Kurti u tregua karrem i fortë edhe për vetë Mustafën edhe pse Mustafa ka një ambicie interesante dhe është një kandidat shumë i fortë si kandidat për postin e Presidentit.

Besoj që arsyet kryesore të mosmarrëveshjes lidhen me taksën”, tha ndër të tjera analisti.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!