N’kufi/ Në shenjtërinë e Shën Naumit: “Vendet tona i trashëgon dikush tjetër!”

schedule18:38 - 1 Dhjetor, 2024

schedule 18:38 - 1 Dhjetor, 2024

Tushemishti është një nga pikat kufitare të Shqipërisë me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në anën shqiptare të kufirit ndodhet fshati Tushemisht dhe pika turistike e Drilonit, ndërsa vetëm 4 km, sapo kalon pikën kufitare, Manastiri i Shën Naumit.

Tushemishti së bashku me qytetin e Pogradecit përbën qendrën e turizmit në pjesën shqiptare të bregut të Liqenit të Ohrit. Qeveria shqiptare e përfshiu Tushemishtin në programin 100 Fshatrat për të promovuar turizmin në zonat rurale. Shkojme ne shtepine e Kristina Lushkës në Tushemisht, që ka bërë gati zahiretë e dimrit, reçel me fiq te eger, trahana dhe petka.

“Vajzat ikin në Tiranë,” thotë duke u ankuar se “djemtë mbetën pa martuar”.

Kristina shkon në Shën Naum për t’u lutur tek i shenjti Shen Naum. “Ai është shenjti i të gjithëve,” na thotë.

Edhe Irena Mihilli shkon përtej kufirit për festën e shenjtit, ashtu si edhe Lavdije Tushinka, që ka këtu bujtinën e saj të bukur. “Në Shën Naum është bukur, po mirë jemi këtu në Tushemisht,” shton duke qeshur.

Në sheshin e fshatit të kap syri një tufë kukullash të punuara me grek, është Sadete Isallari që punon personazhet e filmave vizatimorë. Është këtu Kësulkuqja, Borabardha, Elsa, por edhe një kukull me kapuç me veshë lepurushi. Pak minuta më tej është mrekullia e Drilonit, paqe, drite, qetesi per mendjen dhe shpirtin. Artan Beqirllari na shoqëron me varkën e tij, duke na shpjeguar se ujerat vijnë nga Prespa e Vogël. Këtu janë edhe dy portat që kontrollojnë nivelin e ujit dhe vila e diktatorit Enver Hoxha.

Ura në hyrje të Drilonit shërbente si kufi dhe kishte postbllok që ruhej me ushtarë. Duhej autorizim të hyje në Tushemisht, na shpjegon Artani. Driloni është një burim ujor natyral i lumit të Drilonit dhe një monument natyror, park i mbrojtur kombëtar i cili ndodhet në afërsi të Tushemishtit. Është një mrekulli natyrore me gjelbërim, ujëra, qetësi dhe bukuri të rrallë. Përtej kufirit është manastiri i Shën Naumit dhe fshati i bukur që mban emrin e shenjtit.

Këtu, Vasili Mite nga Korça, na thotë se fierakët e vizitojnë më shumë Shen Naumin. Vasili punon këtu si varkëtar. “Po nuk punove, nuk të do njeri, po punove, të tërë do të të duan,” na thotë. Këtu gjejmë edhe Anxhelo Trajçen, “the boat guy”, që na shpjegon se vendet e Ballkanit duken të lira për turistët.

Shqiptarët nga pjesë të tjera të Maqedonisë së Veriut, e Kosovës vijnë për ta vizituar Shën Naumin. Albin Zenuni nuk e di historinë e shenjtit dhe as shoku i tij Ervin Iseni, por mësuesi Ardian Jashari është i mirë informuar.

“Manastiri, “pronë e shqiptarëve…Për fat të keq, u bë pronë e mbretërisë serbo kroato sllovene,” na thotë.

“Për fat të keq, vendet tona i trashëgon dikush tjetër,” shton Ardiani.

Këtu takojmë edhe shqiptarët e Shqipërisë që vijnë për ta vizituar, si Mikelza Pulaha nga Korça, që ka sjellë për herë të parë edhe djalin e vogël. Në Shën Naum, ka maqedonas që flasin shqip.

Danijela Simonovska na flet shqip duke thënë: “Vijnë shumë këtu nga Allbanija”. Liqeni i ëmbël dhe çatitë e kuqe të shtëpive na shoqërojnë gjatë gjithë bregut të liqenit, dhe natyrisht trëndafilat që kurorëzojnë brigjet e tij!/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!