Pas marrëveshjes, flasin aleatët e Bashës

schedule11:02 - 23 Prill, 2019

schedule 11:02 - 23 Prill, 2019

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Partinë Demokratike, krerët e partive aleate kanë folur për mediat.

Kreu i PR-së Fatmir Mediu: “Padyshim që kjo marrëdhënie e opozitës është detyrë qytetare për të penguar zgjedhjet farsë shkatërrimin e opozitarizmit dhe institucionet kushtetuese të këtij vendi. Ne në këtë marrëdhënie, kemi një raport të ri jo vetëm politik por dhe elektoral. Kemi institucionalizimin e opozitarizmit për të mos lejuar zgjedhjet farsë dhe të manipuluara. Është detyra më fisnike e çdo politikani apo force politike të garantojë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur dhe kjo përgjegjësi është kushtetuese dhe qytetare që opozita do i shkojë deri në fund. Zgjedhje do të ketë vetëm në kushte kur qytetarët të mund të votojnë të lirë”.

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi: “Është një letër mirëkuptimi politik. Është e larguar nga egoizmat parazgjedhore. Është beteja që i kemi shpallur Rilindjes. Kjo është pjesë e betejës politike. Qytetarët nuk do votojnë sepse zgjedhjet kanë rënë. Harku opozitar po zgjerohet çdo ditë. Ky është regjim. Nuk është më një grup njerëzish që qeverisin Shqipërinë. Unë uroj që çdo koleg i ri të bëhet në radhë të parë opozitar. Ne do të shikojmë rrugën tonë. Politikat burojnë nga sistemet zgjedhore. Pikat e marrëveshjes janë këmbët që e mbajnë gjallë atë”.

Kreu i PDK, Ndark Ndoka: “Unë e falenderova edhe lierin demokrat, edhe PD për faktin që ka ruajtur mozaikun e vlerave të pafaqësimit. Sot Rama ndodhet i vetmuar pavarësisht se ka thirrur disa parti që nuk i ka përjashtuar akoma në koalicion. Ndryshe nga e majta e çoroditur, kemi ngritur një ekip në një kohë që Rama po tenton të garojë me një ekip me të cilin dështoi në parlament. I bëj thirrje zotit Rama të kuptojë realitetin e politikë shqiptare, dhe që opozita është garancia e këtij sistemi. Jemi të vendosur të zhvillojmë zgjedhje të lira pa Ramën kryeminsitër, për të hapur një axhendë europiane”. 

Kreu PBDNJ Vangjel Dule: “Dëshirojmë të theksojmë se: Zhvillimet politike në vendin tonë kalojnë tani në një stad të ri cilësor. Kemi një artikulim të qartë, të cilat shkojnë përtej objektivave partiake dhe prekin thelbin e arritjes së demokracisë funksionale dhe të së drejtës. Në këto momente, kur kemi këtë artikulim të qartë opozitar, kemi mbështetjen tonë masive tek qytetarët. Është momenti që t’i drejtohemi ndërgjegjes popullore. Edi Rama çdo sekondë që rri më tepër në pushtet është një kosto më tepër për familjet tona. Qytetarët reflektoni, e keqja është e përbashkët për të gjithë ne. Zgjedhjet pa qytetarët nuk kanë kuptim”./abcnews.al