TIRANË- Gazetari Mero Baze, i ftuar në Real Story, foli për zhvillimet që pritet të pasojnë opozitën pas goditjes së Sali Berishës nga drejtësia në lidhje me akuzat e ngritura nga SPAK.
Ai tha se pas periudhës së Berishës, opozita do të zhytet në një proces të gjatë tranzitor deri sa në skenë të dalë një lider i ri, i pandikuar nga qarqet apo nga familja e ngushtë e ish-kryeministrit Berisha.
Krahas kësaj Baze shtoi se lideri i ri duhet të bashkëpunojë me të gjithë aktorët e tjerë të opozitës, pasi sipas tij, kjo është e vetmja forcë që mund të ndikojë në ringritjen e opozitës.
“Pas Berishës, në opozitë do ketë një periudhë tranzitore të gjatë deri sa të shfaqet lideri i ri i grupit Berisha, jo nga familja Berisha, jo i diktuar nga Berisha, jo i lidhur me ta. Një lider që ta besojnë dhe të zvogëlohet berishizmi brenda partisë dhe të krijojë aleancë me gjithë fraksionet opozitare. Kjo është e vetmja mënyrë që opozita të fillojë të ngrihet”, tha ai.
Sipas Bazes, në këto kushte, Berisha nuk mund të ketë më ndikim tek askush. Ai tha se nëse Berisha e dorëzon partinë tek vajza e tij, këtë të fundit sipas Baze nuk e voton as burri i saj.
“Ai nuk u dikton më njerëzve, as liderëve të opozitës. Ai thjesht do merret me një avokat të mirë të shpëtojë veten dhe fëmijët e vet, sepse e kemi nëpërkëmbë edhe dy muaj dhe nëse proceset vazhdojnë dhe pas gjashtë muajsh këtu, Sali Berisha do ketë vetëm halle avokatësh nuk do diktojë më asgjë. Ideja e tij që do t’ia lë vajzës, mund t’ia lë vajzës, po vajza çfarë do të bëjë pastaj. Vajzën s’e voton as burri. E pe sa njerëz ishin në protestë, më pak se te dasma e Shkëlzenit”, tha ai./ n.m.abcnews.al