Strukturat vendore të emergjencave civile, Policia e Shtetit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, si edhe një ekip i Forcave të Armatosura, janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe në gatishmëri të plotë për menaxhimin e çdo zhvillimi.
Deri më tani në Vlorë janë evakuuar rreth 200 krerë bagëti, ndërkohë që shërbimet shëndetësore ndodhen në lëvizje të pandërprerë, të gatshme për të ofruar asistencë në çdo moment.
Janë evakuuar 12 familje, ndërsa është përgatitur plani për evakuime të tjera. Kanalet kulluese janë pastruar dhe po kontrollohen vazhdimisht, ndërsa të gjitha strukturat përkatëse janë në gatishmëri të plotë për të reaguar ndaj çdo nevoje të banorëve dhe për të garantuar sigurinë e tyre.
Banorët e evakuuar janë akomoduar në konviktet e qytetit, ndërkohë që po bashkëpunohet edhe me hotelet, me qëllim sigurimin e kapaciteteve shtesë të strehimit, në rast të rritjes së nevojave.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat në terren për menaxhimin sa më të mirë të situatës.


