Pas dorëheqjes se Pjetrit, socialistët mbledhin të hënën Këshillin Bashkiak

schedule15:15 - 17 Gusht, 2019

schedule 15:15 - 17 Gusht, 2019

Pavarësisht dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, socialistët janë të vendosur të konstituojnë Këshillin e ri Bashkiak. Prefekti i Shkodrës ka thirrur mbledhjen e për të hënën në orën 11.00 në ambientet e rektoratit, ndërsa demokratët e Shkodrës kanë njoftuar protestë.

Dorëheqja e kandidatit fitues në bashkinë Shkodër, Valdrin Pjetri, nuk i ka stepur socialistët në qeverisje që t’ia vështirësojnë qëndrimin në detyrë Voltana Ademit. Këshilli i ri bashkiak do konstituohet të hënën e 19 Gushtit. ABC News ka siguruar njoftimin e prefektit Çesk Millja për thirrjen e mbledhjes së parë të Këshillit të ri Bashkiak të Shkodrës. Mbledhja do zhvillohet në orën 11.00 në ambientet e rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, një panoramë e ngjashme me bashki të tjera të drejtuara nga opozita.

Tre janë pikat e agjendës së mbledhjes: konstituimi i Këshillit Bashkiak dhe zgjedhja e organeve drejtuese e përfaqësuese; zgjedhja e përfaqësuesve të Këshillit të Bashkisë në Këshillin e Qarkut Shkodër dhe shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë Shkodër.

E paqartë se si do zhvillohet ky proces, për pikën e tretë, pas dorëheqjes së kandidatit fitues të Bashkisë Shkodër Valdrin Pjetri. Sipas ligjit për pushtetin vendor kryebashkiaku është automatikisht edhe anëtar i këshillit të qarkut.

Një prej skenarëve që përflitet në selinë rozë është që  Këshilli i ri Bashkiak të caktojë si kryetar të përkohshëm një prej zv.kryetarëve aktuale të bashkisë Shkodër.

Kjo do shmangte disi acarimin e klimës politike, ndërsa qëndrimi në zyrë i Voltana Ademit me një këshill tërësisht të mazhorancës, nuk do ishte aspak i lehtë. Sipas nenit 60 pika 4 e ligjit për qeverisjen vendore, Ademi mund të qëndrojë në detyrë,

“Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”.

Ndryshe nga ligji për qeverisjen vendore, Kodi Zgjedhor përcakton limitin kur mbaron mandati i kryebashkiakut.

“Për efekt të këtij Kodi, mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.

Për zgjedhjet e vitit 2015, KQZ shpalli rezultatet më 10 Gusht të atij viti dhe sipas kësaj formule, mandati i Voltana Ademit si kryebashkiake e Shkodrës do të duhej të përfundonte më 10 Gusht 2019. Çfarë vështirëson akoma më shumë konfliktin ligjor, është se të dyja normat kanë të njëjtën hierarki dhe miratohen me 3/5 e votave në Parlament.

Sidoqoftë një këshill krejtësisht i mazhorancës do kushtëzonte fort vendimmarrjen e vijimin e punës së kryebashkiakes së Shkodrës, e duket se këtë e kanë menduar socialistët.

Të premten Presidenti Meta saktësoi se nuk do të dekretojë datë të re për përsëritjen e zgjedhjeve për Bashkinë e Shkodrës, pasi kryetari i zgjedhur, Valdrin Pjetri u tërhoq nga marrja e detyrës. Sipas kreut të shtetit, zgjedhjet e vetme te ligjshme për Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë janë ato të 13 Tetorit.

 “Deri në marrjen e detyrës nga kryetari i ri, detyrën e mban kryetari aktual”, është shprehur Meta.

Nga ana e tyre, dega lokale e PD ka njoftuar mbajtjen e një proteste të hënën para rektoratit, për të mos lejuar atë që e quajnë kapje të qytetit, pasi e konsiderojnë të paligjshme mbledhjen konstituese të Këshillit Bashkiak./ABC News Albania 24/7