Siç ishte parashikuar nga sinoptikanët, sot në mëngjes i gjithë vendi u pushtua nga një mot i keq me reshje e stuhi, pas ditëve të nxehta të fillimit të gushit.
Temperaturat përvëluese ranë. Mëngjesi i kësaj të mërkure agoi me shira të fortë në shumë zona të vendit.
Kapriçot e motit sollën shtrëngata e stuhi edhe në gusht.
Plazhet sot duken të shkreta. Në Durrës, pushuesit i janë larguar çadrave dhe detit, që është pushtuar nga dallgët.
Edhe qytetit i Vlorës u zgjua në pushtetin e shiut. Gjatë mëngjesit era e fortë ka vënë para çadra e shezlonge.
Në Shëngjin çadrat janë ulur pothuajse të gjitha, ndërsa në plazh pushuesit janë të paktë.
Por nuk munguan edhe disa që e sfiduan motin, duke u larë në det.
Të tjerë e shfrytëzuan ditën për xhiro.
Por si çdo e keqe, edhe këto reshje e patën një të mirë sepse shuan zjarret në shumë zona pyjore të vendit, ku flakët kishin “pushtetin” prej ditësh.
Pylli i Semanit sot është më i qetë, edhe pse i dëmtuar nga zjarri që nuk mund të vihej në kontroll prej 4 ditësh.
Në aksin Gjirokastër-Kakavijë një plep ishte rrëzuar në rrugë gjatë natës nga era e fortë. Për pasojë qarkullimi mbeti i bllokuar për disa orë mëngjesin e sotëm duke shkaktuar rëndim të trafikut./abcnews.al/