Pas “Demollarit” edhe “Modric”/ Sylvinho shton listën fton për herë të parë Feta Fetain, mesfushori i ekipit U21 bashkohet me kombëtaren e parë

schedule22:16 - 8 Tetor, 2024

schedule 22:16 - 8 Tetor, 2024

Kombëtarja e Shqipërisë vijon përgatitjet për dy sfidat e tetorit në Ligën e Kombeve kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë, në program më 11 dhe 14 tetor, të dyja në transfertë.

Në ditën e dytë të grumbullimit, trajneri Silvinjo ka ndryshuar sërish listën e futbollistëve, duke ftuar për herë të parë Feta Fetain.

Pjesë e përfaqësueses U21, mesfushori që luan me Lokomotivën e Zagrebit ndiqej prej kohësh me interes nga tekniku kuqezi, I cili është bindur për kualitetin e tij, pas seancës stërvitore të së hënës, ku një pjesë e lojtarëve të ekipit shpresa u bashkuan me skuadrën e parë.

Feta Fetai thirret me nofkën “Modriç”, jo vetëm për rolin në fushë, por edhe për ngjashmërinë e tij me yllin kroat.

Ai është debutuesi i dytë në këtë grumbullim të kombëtares, pas Adrion Pajazitit, që gjithashtu mori për herë të parë një ftesë nga Silvinjo.

Të dy ishin pjesë e seancës stërvitore, ku trajneri kishte të gjithë lojtarët në dispozicion, pasi të hënën në mbrëmje u bashkuan në grumbullim Arbër Hoxha, Qazim Laçi dhe Nedim Bajrami.

Por, tre ditë nga sfidae parë e tetorit, Silvinjo duhet të shqetësohet për gjendjen e dy futbollistëve të rëndësishëm, si Kristjan Asllani dhe Myrto Uzuni, që u stërvitën të diferencuar për shkak të problemeve muskulare.

Ata pritet të bashkohen me grupin në seancën e së mërkurës, por do të monitorohen nga stafi mjeksor i kombëtares.

Pjesa tjetër e futbollistëve vijoi normalisht programin stërvitor që nisi me punën në palestër e më pas në fushë, ku u provuan disa situata të ndryshme loje.

Skuadra kuqezi do të vijojë përgatitjet deri në enjten, ditë kur është në program edhe nisja drejt Pragës, ku do të luhet sfida e parë kundër Çekisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!