Partneritet me BE për mbrojtjen, bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe menaxhimin e krizave

schedule20:31 - 19 Nëntor, 2024

schedule 20:31 - 19 Nëntor, 2024

Shqipëria dhe BE miratuan Partneritetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes. Sipas njoftimit të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme kjo marrëveshje zgjeron bashkëpunimin në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes dhe adreson sfidat e përbashkëta.

“Shqipëria si vend negociues me BE dhe shtet anëtar i NATO-s ka qenë dhe është një partner i vyer dhe i besuar për BE-në në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, duke kontribuar në mënyrë aktive në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së.”

Partneriteti i Sigurisë dhe Mbrojtjes i hap rrugën rritjes së bashkëpunimit në fusha kyçe, duke përfshirë menaxhimin e krizave, mbështetjen për Ukrainën, përballimin e kërcënimeve hibride, sigurinë kibernetike, ndërtimin dhe trajnimin e aftësive kundër terrorizmit dhe aspektet e jashtme të menaxhimin e integruar të kufirit.

“Vendimi i korrikut 2024 i BE-së për t’i dhënë 13 milionë euro mbështetje Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të Fondit Evropian të Paqes, ka qenë një moment historik i rëndësishëm në bashkëpunimin tonë për sigurinë dhe mbrojtjen. Ai pasqyron vlerësimin e BE-së për përafrimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!