Kategoria Superiore rikthehet sërish në mesjavë dhe nuk ka kohë për pushim. Katër sfida zhvillohen ditën e mërkurë, ndërsa Partizani do të zbresë në fushë 24 orë më vonë. Kampionët në fuqi do të presin në “Selman Stërmasi” Skëndërbeun, ndeshja që nis në orën 15:00.
Klubi i kuq ka publikuar në rrjetet sociale çmimet e biletave. Shitja e tyre do të nisë ditën e nesërme, duke nisur nga ora 10 e mëngjesit në pikën pranë stadiumit. Një biletë në tribunë kushton 10 mijë lek të vjetra, ndërsa në zonën e ultrasve vetëm 3 mijë të tilla.
Djemtë e Lerdës do të futen për të marrë fitoren e dytë rresht. Kreu është vetëm një pikë larg, ndërsa do të ketë edhe një rikthim në ekip. Aristoteles Romero u ndëshkua me karton të kuq kundër Teutës dhe mungoi në triumfin 1-3 në Shkodër.
Mesfushori venezuelian është në dispozicion të trajnerit italian për ndeshjen e radhës, që është shumë e rëndësishme për të dy ekipet. /abcnews.al