Partizani pritet të ketë ndryshime në formacion për Sherifin në Europë

schedule11:30 - 24 Korrik, 2019

schedule 11:30 - 24 Korrik, 2019

Partizani pritet të ketë lëvizje në formacion për ndeshjen e Ligës së Europës ndaj Sherifit të Tiraspolit. Trajneri Franko Lerda do të luajë me të njëjtën skemë, por me lojtarë të tjerë.

Pak ditë i kanë mjaftuar për të bërë ndryshimet.

Nuk mund të quhen zyrtare, por Partizani pritet të jetë me formacion tjetër në fushë në Ligën e Europës, në krahasim me turin e parë të Championsit.

Trajneri Franko Lerda besohet se do të bëjë lëvizje në mesfushë e në sulm, dhe kjo pasi bëri provat e tij për disa seanca stërvitore radhazi.

Solomon, njeriu që vuri në vështirësi Karabakun në Azerbajxhan, mendohet si qendërsulmues ndaj Sherifit të Tiraspolit në sfidën e nesërme që do të luhet në orën 17:30 në “Selman Stërmasi”.

Në repartin ofensiv edhe Çinari, veçse më i zhvendosur djathtas, ndërsa ndryshimi më i dukshëm është afrimi në sulm i Melos në të majtë.

Rrezikun më të madh në këtë skemë e ka Jasir Asani, një nga lojtarët më të talentuar të të kuqve, që pritet ta nisë ndeshjen në stol.

Vlonjati Telushi mendohet si i palëvizshëm në qendër të mesfushës, duke pasur në krah Esat Malën e tërhequr prapa dhe Rron Brojën, që ndaj azerëve luajti si zëvendësues.

Lerda është treguar i kujdesshëm me mbrojtjen dhe portën, duke lënë të njëjtët lojtar si ndaj Karabakut, pra Hoxhën si lojtar të fundit, dhe katërshen difensive të përbërë nga Belica e Bitri në qendër, si dhe Ibrahimi e Hakaj nga krahët.

Lorenc Trashi pritet të jetë sërish në stol.

Partizani jepet favorit për të fituar ndeshjen pritëse të turit të dytë të Ligës së Europës, ndonëse është e qartë se nuk do ta ketë aspak të lehtë. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!