Partizani përfundon aventurën në Champions League

schedule22:45 - 17 Korrik, 2019

schedule 22:45 - 17 Korrik, 2019

Përfundon aventura e Partizanit në  Champions League. Të kuqtë u mundën ndaj Karabag me rezultatin 2-0 ne ndeshjen e kthimit të vlefshme për turin e parë. Partizani tashmë do të luajë ndaj skuadrës së Sherif Tiraspol në Europa League.

Karabag shuan ëndrrën e Partizanit. Të kuqtë u mundën me rezultatin 2-0 në ndeshjen e kthimit të vlefshme për turin e parë të Ligës së Kampionëve. Partizani luajti një ndeshje të mirë por eksperienca e Karabag në kompeticionet evropiane rezultoi vendimtare.

Partizani e nis ndeshjen në sulm me Çinari jep sinjalet e para por goditja e shtatlartit shkon jashtë. Është sërish sulmuesi i të kuqve në të ‘27 minut që tenton të kapë në befasi portierin Vagner i cili devijon në këndore. Skuadrat e qarkulluan mirë lojën dhe krijuan raste shënimi por pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola.

Fraksioni i dyte ishte në favorin e vendasve të cilët shënuan dy herë. Në minutën e 50, Ozobiç i shpëton markimit të mbrojtjes së Partizanit dhe mposht pas një goditje me kokë portierin Alban Hoxha.

Partizani në disavantazh detyrohet të shtojë sulmet në portën e Karabag. Në minutën e 59, Solom ndërmerr një aksion individual por kundërshtari largon rrezikun nga zona. Është sërish Solomon në të 73 minutë që humbet një rast të artë për Partizanin.

Gjashtë minuta më pas reagojnë vendasit me Slavçev teksa humbet një rast të pabesueshëm përballe Hoxhës. Në momentin më të mirë të Partizanit, azaret shënojnë edhe golin e dytë.

Partizani përfundon aventurën në Champions League dhe tashmë do të luajë në turin e dytë të Europa Leauge përballë Sherif Tiraspol.  Sfida e parë do të luhet në datën 25 Korrik ndërkohë që ndeshja e kthimit një javë më pas./ABC News Albania 24/7