Partizani e Skënderbeu vazhdojnë të përforcojnë skuadrat. Kryeqytetasit kanë marrë një mesfushor nga Koreja e Veriut, ndërsa korçarët kanë afruar një emër të njohur në Superligë.
Dy nga pretendentët kryesorë të sezonit, nuk ndiheshin të plotë. Partizani e Skënderbeu vazhduan të afrojnë lojtarë përforcim, dhe së fundmi morën secili nga një emër të ri.
Kryeqytetasit do të kenë në radhët e veta një lojtar krahu, më së shumti mesfushor, dhe bëhet fjalë për një koreanoverior. So Hjok-Un është 26 vjeç dhe në karrierë ka luajtur me tre klube të ndryshëm.
Fillimisht, në Korenë e Veriut, ka qenë me ekipin “25 Prilli”, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë është transferuar në vitin 2017, fillimisht tek Zrinjski i Mostarit, e më pas i huazuar tek GOSHK Gabela, që të dy ekipe në Superligën boshnjake.
So Hjok-Un ka luajtur 28 ndeshje me ekipin kombëtar të Koresë së Veriut, pjesë e të cilit vazhdon të jetë, si dhe ka shënuar dy gola. Skënderbeu ndërkaq afron një emër të njohur të Superligës, sulmuesin Realdo Fili.
Futbollisti fierak mbahet mend për periudhën e aktivizimit tek Apolonia në Fier dhe tek Partizani, ndërsa këtë sezon pritej të ishte pjesë e Kamzës. Korçarët kanë siguruar shërbimet e tij dhe pritet ta kenë në ekip.
Fili ra në sy që në moshën 15-vjeçare për aftësitë me topin, dhe pritet të jetë një alternativë më shumë për trajnerin e kampionëve Orges Shehin, pas largimit të disa lojtarëve kryesorë gjatë verës./abcnews.al