Partizani humb miqësoren e dytë

schedule11:30 - 27 Qershor, 2019

schedule 11:30 - 27 Qershor, 2019

Partizani humbet edhe miqësoren e dytë në Slloveni, këtë herë ndaj skuadrës vendas, Mura. Kampionët e Shqipërisë nuk janë ende në formën e duhur, ndërsa përforcimet po vonojnë.

Nuk dihet se kur do të nisin ndryshimet, por për momentin nuk duken.

Partizani, jo vetëm që ka pak lëvizje përsa i përket transferimeve, por edhe vazhdon me humbjet në miqësore.

Pas disfatës së rëndë 1-5 me Sarajevon, ja ku erdhi e dyta, edhe pse shumë më normale, me shifrat 1-2 ndaj skuadrës sllovene të Murës.

Përballë një kundërshtari me nivel të mirë, si vend i katërt në Ligën e Parë të Sllovenisë, Partizani bëri rezistencë më të fortë sesa me boshnjakët, por gjithsesi doli i humbur.

Vendasit shënuan në pjesën e parë me anë të sulmuesit Amadej Marosha, ndërsa në minutën e 72-të dyfishuan rezultatin me mesfushorin Matic Marushko.

Skuadra e trajnerit Franko Lerda u përpoq dhe iu afrua disa herë portës kundërshtare, madje edhe shënoi, por në pozicion jashtë loje.

Italiani provoi edhe brazilianin Kordeiro Melo të marrë nga Kukësi, ndërsa diferenca u shkurtua vetëm në sekondat e fundit shtesë me anë të shkodranit Çinari.

Tifozët, natyrisht që mbeten të pakënaqur me humbjet, ndërsa presin përforcime.

Pritet marrja e mbrojtësit boshnjak, Muamer Axhem, nga Sloboda e Tuzlës, 26-vjeçar dhe shtatlartë 1.94 metra, që do të zëvendësojë Atandën e larguar për në Izrael.

Problem mbetet gjetja e një qendërsulmuesi. /ABC News Albania 24/7