Për herë të parë në gjykatën e posaçme do të zhvillohet një proces gjyqësor ndaj një ish-kryeministri për akuzën e korrupsionit. Gjykata e Posaçme vendosi të hënën pas 7 muajsh zvarritje që Sali Berisha te gjykohet për akuzën e korrupsionit të kryer ne bashkëpunim.
Gjyqtarja Flojera Davidhi kaloi për gjykim në themel dosjen “Partizani” duke pranuar kërkesën e SPAK dhe duke rrëzuar pretendimet e avokatëve për pushim të hetimeve. Pas vendimit të gjyqtares paraprake, pritet që brenda pak ditësh të hidhet shorti për të përcaktuar trupën që do të gjykojë në themel ish-kryeministrin.
Berisha është ish-kryeministri i parë që do të ulet në bankën e të akuzuarve. Krah tij do qëndrojë edhe dhëndëri Jamarbër Malltezi që përveç korrupsionit do të gjykohet edhe për pastrim parash bashkë me ndërtuesit Fatmir Bektashi Xhimi Begeja e Andia Pustinën.
Ish-kryeministri Berisha u paraqit këtë të hënë në SPAK për masën e sigurisë detyrim paraqitje ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi vijon të mbahet nën masën e arrestit shtëpiak. Mbrojtjes së tyre i janë rrezuar disa kërkesa për përjashtim të gjyqtares Flojera Davidhi dhe pavlefshmëri të akteve dhe vendimeve të dhëna për këtë çështje nga gjyqtarja Irena Gjoka për të cilën pretendojnë se ka fshehur një dënim për falsifikim dokumentesh në Greqi.
Hetimet e SPAK për dosjen “Partizani” nisën pas kallëzimit të Taulant Ballës në atë kohë kreu i Grupit Parlamentar socialist. Sipas prokurorisë Berisha në cilësinë e kryeministrit ka nxjerrë akte nën ligjore për t’i ardhur në ndihmë dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi që përfaqësonte familjet e disa ish-pronarëve duke përfituar sipërfaqe toke në ish-kompleksin partizani në kundërshti me ligjin.