Kryeministri Zoran Zaev beson se koalicioni me BDI-në do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të prillit. Zaev tha se i beson Ahmetit për shkak të përpjekjeve të tij personale për shfrytëzimin e koalicionit në të mirën e qytetarëve.
Partitë politike në Maqedoni nuk janë qartësuar ende se me kë do të bëjnë koalicione para-zgjedhore ndërkohë që nuk mungojnë thirrjet drejtuar njëra-tjetrës. Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ftoi publikisht Lëvizjen Besa dhe Alternativën për koalicion parazgjedhor. Sela kërkoi që përballë Aleancës, Besës dhe Alternativës të bashkohen BDI, PDSH dhe RDK me qëllim formimin e dy blloqeve shqiptare para zgjedhjeve të 12 prillit 2020.
Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev beson se koalicioni me BDI-në do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të prillit. Ai tha se me BDI-në i bashkon programi qeveritar dhe e cilësoi bashkëpunimin si koalicioni i cili zgjidhi çështjet më të rëndësishme në shtet. Zaev tha se i beson zotit Ahmeti për shkak të përpjekjeve të tij personale për zbatimin e programit dhe shfrytëzimin e koalicionit në të mirën e qytetarëve.
Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja është duke negociuar për ri-organizimin e koalicioneve parazgjedhore. Lideri i partisë më të madhe opozitare, Hristijan Mickoski ka deklaruar se negociata po zhvillohen edhe me subjektet shqiptare, partnerë të LSDM-së së Zoran Zaevit.
Ndërkohë, janë shënuar edhe incidente. Pesë makina u dogjën sot në mëngjes në qytetin e Shtipit. Njëra makinë ishte e Nikolla Tuhev, ish-kreu I degës së LSDM-së në Shtip ndërsa makina tjetër e babait të tij, Mite Tushev. Sipas Nikolla Tushevit, automjetet ishin të parkuara në vende të ndryshme parkimi, ndërsa dyshohet se makinat janë djegur me koktej molotovi./ABC News Albania