5 aleatët që firmosen koalicionin opozitar për pamundësimin e zgjedhjeve të Qershorit, kanë vendosur t’i kërkojnë presidentit ndërmjetësim për dialog, me qëllim zgjidhjen e krizës politike. Vendimin e tyre, krerët e partive të vogla e bënë të ditur pas takimit me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca.
5 aleatët që firmosën koalicionin opozitar zgjedhor Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, Vangjel Dule, Agron Duka, Nard Ndoka pas takimit me kreun e delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, Luigi Soreca, deklaruan se do t’i kërkojnë presidentit Ilir Meta që t’i ulë në një tryezë me mazhorancën për t’i dhënë zgjidhje krizës për zgjedhjet.
“Ne do t’i kërkojmë Presidentit të Republikës që të thërrasë një tryezë të pozitës dhe të opozitës për të zgjidhur këtë situatë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Opozita nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe qytetarët shqiptarë të vendosin se kush do ta qeverisë këtë vend në nivelin lokal dhe në nivelin qendror. Çdo gjë tjetër do ishte shkatërruese dhe prandaj jemi bashkuar që të ndalojmë dhe frenojmë këtë proces shkatërrimi që ka nisur Edi Rama”, u shpreh Fatmir Mediu.
Ata janë të vetëdijshëm se interesat e shqiptarëve dhe Shqipërisë duhet të jenë në plan të parë.
“Boshti kryesor është shërbimi i axhendës opozitare që ka për synim që përfundimisht në vendin tonë të shkulet rrënja e së keqes e cila ka sjellë cile të njëpasnjëshme krizash politike dhe për rrjedhojë edhe ekonomike edhe shoqërore. Përvojat e hidhura të së shkuarës dhe 2017 nuk është shumë larg, duhet që të gjithë të na bëjnë më të mençur, më të ditur, më të urtë”, tha Vangjel Dule.
Takim i zhvilluar mes aleatëve me ambasadorin Soreca vjen pas atij me OSBE-në./abcnews.al