Parlamenti shqiptar “vishet” me ngjyrat e Ukrainës, të gjithë deputetët në këmbë, përlotet ambasadori

schedule17:29 - 7 Mars, 2022

schedule 17:29 - 7 Mars, 2022

Parlamenti shqiptar është solidarizuar me Ukrainën. I veshur me ngjyrat e flamurit ukrainas, të gjithë deputetët e pranishëm në sallë janë ngritur në këmbë dhe kanë duartrokitur në shenjë solidarizimi dhe përkrahje për Ukrainën, e cila është në ditën e 12 të saj përballë sulmit të Vladimir Putin. I pranishëm në këtë seancë plenare është edhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov i cili është përlotur gjatë duartrokitjes së deputetëve.

Pa nisur seanca Parlamentare deputeti i Parisë Demokratike Dashnor Sula shpërndau në 140 bluza në karrigen e secilit ligjvënës. Ndërkohë në bluzë shkruhet “We Stand with Ukraine”- Solidarizohemi me Ukrainën. Ndërsa në bluzë qëndronin dy flamujtë, ai i Shqipërisë dhe ai i Ukrainës.

Në ditën e 12 të luftës bombardimet ruse vazhdojnë të bllokojnë evakuimin e civilëve nga qytetet e rrethuara në Ukrainë. Sulmet do të vazhdojnë pavarësisht një propozimi nga Rusia për krijimin e rrugëve të sigurta. Por Ukraina e quajti “të pamoralshëm” këtë propozim pasi rrugët do t’i shpinin qytetarët drejt Rusisë apo aleates së saj, Bjellorusisë. Dy përpjekje për armëpushim në Mariupol dështuan gjatë fundjavës, ndërsa njerëzve po iu mbaron ushqimi.

/abcnews.al