Parlamenti Europian dënon sulmet e Hamasit: “Duhet ta eliminojmë”

schedule15:48 - 19 Tetor, 2023

schedule 15:48 - 19 Tetor, 2023

Parlamenti Europian, me rezolutën e tij për situatën në Lindjen e Mesme, ka dënuar sulmet terroriste të Hamasit kundër Izraelit, ndërsa shprehu shqetësimin për situatën humanitare në Rripin e Gazës.

Në rezolutën e miratuar sot në seancën plenare në Strasburg, me 500 vota pro, 21 kundër dhe 24 abstenime, PE dënoi pa mëdyshje sulmet brutale, shprehu mbështetjen e tij për Izraelin dhe popullin e tij dhe nënvizoi se “organizata terroriste Hamas duhet të eliminohet».

Përveç kësaj, PE bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi dhe njohu të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje. Gjithashtu, ata theksuan se si sulmet e Hamasit ashtu edhe reagimi izraelit rrezikojnë të përforcojnë një cikël dhune në rajon.

Prandaj, eurodeputetët bënë thirrje për një “pauzë humanitare” në armiqësitë , duke theksuar se sulmi ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile përbën një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar.

Në të njëjtën kohë, eurodeputetët shprehën dhimbjen e thellë për humbjen e qindra jetëve të pafajshme dhe për të plagosurit në shpërthimin e fundit në spitalin Al Ahli në Gaza.

Rezoluta bën thirrje për një hetim të pavarur sipas ligjit ndërkombëtar për të përcaktuar nëse ky ishte një sulm i qëllimshëm dhe një krim lufte dhe, nëse vërtetohet, të gjithë personat përgjegjës të mbajnë përgjegjësi.

“Duke shprehur shqetësimin për situatën e përkeqësuar me shpejtësi në Rripin e Gazës, PE thekson rëndësinë e dallimit midis popullit palestinez dhe pritshmërive të tij legjitime nga njëra anë dhe organizatës terroriste Hamas nga ana tjetër. Eurodeputetët i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vazhdojë dhe të rrisë ndihmën humanitare për popullsinë civile të rajonit,” thuhet në deklaratë.

Ata i bënë thirrje Egjiptit dhe Izraelit që të punojnë me komunitetin ndërkombëtar për të krijuar korridore humanitare në Rripin e Gazës. Rezoluta dënon pa mëdyshje mbështetjen e Iranit për Hamasin dhe grupet e tjera terroriste në Rripin e Gazës.

Eurodeputetët përsëritën gjithashtu thirrjen e tyre që e gjithë ushtria e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe Hezbollahut të Libanit të listohen si organizata terroriste nga BE dhe bënë thirrje për hetime mbi rolin e Iranit dhe vendeve si Katari dhe Rusia në financimin dhe mbështetjen e terrorizmit në rajon.

Ata gjithashtu dënuan sulmet me raketa nga Libani dhe Siria ndaj Izraelit dhe bëjnë thirrje për një ulje të tensioneve në Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor.

Duke shprehur mbështetje të fortë për rritjen e ndihmës humanitare për Rripin e Gazës, eurodeputetët i kërkuan Komisionit që të rishikojë tërësisht të gjithë ndihmën financiare të BE-së për Palestinën dhe rajonin më të gjerë për të siguruar që BE-ja nuk financon drejtpërdrejt ose tërthorazi terrorizmin.

Në të njëjtën kohë, ata nënvizuan se buxheti i BE-së duhet të vazhdojë të ofrojë mbështetje për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Duke theksuar nevojën për një rifillim të menjëhershëm të procesit të paqes, rezoluta përsërit mbështetjen e saj të palëkundur për një zgjidhje të negociuar me dy shtete, bazuar në kufijtë e vitit 1967, në të cilat dy shtete sovrane, demokratike bashkëjetojnë krah për krah në kushte paqeje dhe sigurie të garantuar, me Jerusalemin si kryeqytet të të dy shteteve dhe me respekt të plotë të së drejtës ndërkombëtare.

Së fundi, PE shpreh shqetësimin për rritjen e fjalimeve, mitingjeve dhe sulmeve antisemite kundër hebrenjve që nga fillimi i sulmeve terroriste nga Hamasi.

Parlamenti Europian githashtu i bën thirrje Komisionit dhe të gjitha vendeve të BE-së të marrin të gjitha masat e duhura për të garantuar sigurinë e qytetarëve hebrenj,” theksohet në përfundim të rezolutës.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!