Parku i Liqenit me një kënd të ri force e një modul për fëmijët PAK

schedule12:34 - 12 Dhjetor, 2017

schedule 12:34 - 12 Dhjetor, 2017

Nisma e Bashkisë së Tiranës, “Luaj Tirana”, e cila po shtrihet në të gjithë kryeqytetin me krijimin e hapësirave argëtuese për fëmijë e të rritur, ka shtuar edhe një kënd të tretë force në hapësirën e Parkut të Liqenit. Por, krahas tij, për herë të parë në Parkun e Madh, pranë këndit të lojërave, është instaluar modul lojërash për fëmijët me aftësi të kufizuar duke hequr kështu barrierat për ta.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e vlerësoi si fantastike punën e bërë për ndërtimin e këndit të forcës dhe theksoi se për herë në Tiranë janë hapur më shumë hapësira sportive dhe argëtuese, se sa kafe e bingo. “Më vjen mirë që, në fakt, jemi futur në një garë, ku për herë të parë në mbyllje të këtij viti, në Tiranë, janë hapur më shumë hapësira sportive, argëtuese dhe për fëmijë në natyrë, se sa janë hapur kafe e bingo. Besoj se ky është mesazhi që japim dhe kjo nuk bëhet me predikime, por bëhet kur qyteti të jep një alternativë”, tha Veliaj.

Ai falenderoi kompaninë ‘Telekom Albania’ që iu bashkua kësaj nisme, ndërsa nënvizoi se gjithnjë e më shumë qytetarët dhe kompanitë po kontribuojnë duke i dhënë një energji të re qytetit. “Besoj se teksa pasurojmë hapësirën tek liqeni i Tiranës, teksa kemi nisur të gjelbërojmë me pyll të gjithë hapësirën tek liqeni i Farkës, teksa kemi filluar projektin tek liqeni i Kasharit, teksa po bëjmë Pyllin Orbital, duket që të gjithë aktorët zemërmirë e bujarë në qytet po bëhen bashkë për t’i dhënë energji qytetit”, shtoi Veliaj.

Bashkia e Tiranës parashikon që edhe për vitin 2018 të vijojë puna për përmirësimin e infrastrukturës në kryeqytet dhe për krijimin e hapësirave çlodhëse për të gjitha grupmoshat. “Këto dy vite na mësuan një gjë: Kur ne shqiptarët e ndajmë mendjen për punë dhe kur bashkojmë gjithë energjinë, Bashki, qeveri, agjencitë tona, kompanitë private, të gjithë ata që janë bujarë dhe duan të japin diçka, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Plani është që edhe në 2018 të vijojmë me këtë ritëm dhe në fakt jemi në një fazë ku po garojmë me veten tonë dhe po mundohemi që viti ynë i ardhshëm të jetë më i mirë se ky vit”, tha ai.

Veliaj deklaroi se dy vite më parë i gjithë ky transformim ishte i paimagjinueshëm, ndërsa siguroi se dy vitet e ardhshme do të jenë edhe më të mira për kryeqytetin. “Sigurisht, jo çdo gjë është perfekt, por nëse vazhdojmë qoftë edhe në këtë park që është transformuar totalisht, tani me korsinë e re të biçikletave që shkon tej-përtej, ku gjithë hapësirat e këndeve për fëmijë, ku gjithë pastrimi që po i ndodh liqenit nga ndërtimet pa leje dhe gjithë çarjet e paligjshme kanë prodhuar në këtë mikrokozmos një ndryshim, ku para dy vitesh bëhej sherri për këndin e parë të lojërave, as që nuk mund ta imagjinonim. Sot, në fakt i vetmi sherr është kur do jetë gjëja tjetër dhe kur do bëjmë ndërhyrjen e radhës. Në këto dy vite kemi bërë shumë, por më e mira gjithmonë është përpara dhe mezi pres që dy vitet e tjera të jenë akoma më mirë për Tiranën”, tha ai.

Këndi i ri i forcës në zonën e Parkut të Liqenit ofron mundësinë e ushtrimit me mjete profesionale për frekuentuesit e parkut. Këndi ka 6 module force të veçanta, përfshi paralele e mjete të tjera stërvitje dhe rrethohet me një pistë vrapimi.

Ndërsa, moduli i ri i lojërave për fëmijët me aftësi të kufizuar u mundësua nga bashkëpunimi me ROTARACK, të cilët që në Dhjetor 2016 organizuan fushatën për ngritje fondesh me qëllim përshtatshmërinë e këndeve të lojërave në Tiranë për PAK.

“Sot kemi instaluar për herë të parë një modul lojërash për fëmijët me aftësi të kufizuar. Do të donim shumë që të ishim solidarë me prindërit që rrisin këta fëmijë, për t’u siguruar që nuk e kanë vendin në një cep, por e kanë në mes, ku janë edhe gjithë fëmijët e tjerë. Unë besoj se jo vetëm ndihmojmë fëmijët me aftësi të kufizuar, por edhe fëmijët e tjerë kuptojnë që shoqëria ka nga të gjithë shtresat, ka njerëz që për një arsye shëndetësore apo për një aksident kanë një vështirësi. Edhe fëmijët e tjerë, në një kënd lojërash që harmonizon edhe fëmijët me aftësi të kufizuar janë më të emancipuar, rriten si qytetarë më dinjitozë të qytetit tonë”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai kërkoi që ky shembull pozitiv të ndiqet edhe nga të tjerë duke treguar solidaritet për njerëzit që kanë nevojë. “Tani që po afrojnë festat e fund vitit, thirrja që na vjen nga rotarianët është se secili mund të bëjë aq sa mundet. Nuk pret asnjeri që dikush të transformojë Shqipërinë në vetë të parë, ama secili prej nesh mund të transformojë një pjesë të Shqipërisë. Por, sikur çdo grup i organizuar të marrë përsipër një institucion, një shtresë të popullsisë, një lagje, një komunitet, një pallat, një shesh pushimi, mund të kemi realisht Tiranën solidare që duam të kemi në dhjetor”, deklaroi Veliaj./abcnews.al