Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, vijon transformimi i nisur prej vitesh tashmë, i cili ka shndërruar mjediset e Qendrës më të madhe të Shqipërisë në infrastruktura spitalore të denja ku ofrohet shërbim i specializuar mjekësor për qytetarët nga mbarë vendi.
Një prej hapësirave që po transformohet së fundmi është edhe vendparkimi i automjeteve që hyjnë dhe dalin në Qendër, të cilat gjatë ditës qarkullojnë me mijëra. Projekti i ri parashikon hapësirë multifunksionale me 1400 vende parkimi në ditë, me një strukturë hotelerie në dispozicion për pacientët dhe familjaret e tyre, por dhe për studentë, mjekë e ekspertë që kanë bashkëpunim me spitalin, si dhe me një hapësirë të dedikuar mbi tarracën e godinës vetëm për helikopterët e rasteve të emergjencës.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në kantierin e parkimit shumëkatësh, së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, e cila u shpreh se synimi është ndërtimi i një godine parkimi me nivele multifunksionale që do të garantojë largimin e automjeteve nga rrugët e brendshme, duke dhënë mundësinë për shndërrimin e këtyre hapësirave në parqe të gjelbëruara, ku krijohet një ambient më i qetë dhe më i shëndetshëm për këdo që merr shërbimin aty.
“Këtu jemi brenda në hyrjen kryesore qendrën spitalore Universitare Nënë Tereza që ka një fluks të shtuar të makinave qe qarkullojnë, që lëvizin, që hyjnë, që dalin, që parkojnë. Janë afro 4000 makina që hyjnë e dalin në ditë dhe afro 120 mijë makina që qarkullojnë brenda muajit, duke rritur shumë fluksin e lëvizshmërisë brenda hapësirave të brendshme dhe duke krijuar dhe një situatë jo të këndshme dhe jo fort të pëlqyeshme për të gjithë ata që marrin shërbime këtu, për aq kohë sa ka një dyfishim të kërkesave për të parkuar dhe për të marrë shërbimin brenda QSUT. Ajo që jemi duke punuar bashkë me FSHZH, është ndërtimi i një godine parkimi me nivele multifunksionale, e cila do të garantojë që të heqim makinat nga rrugët e brendshme të QSUT, duke pastruar gjithë sipërfaqet e brendshme, duke i shndërruar ato në parqe kreative ku krijohet edhe një ambient më i qetë dhe më i shëndetshëm për këdo që vjen dhe merr shërbimin këtu dhe pikërisht për këtë arsye, qendra që do të ndërtojmë, do të ofrojë mundësi, jo vetëm për të shtuar kapacitetet e parkimit për t’i dyfishuar ato. Qendra do të ofrojë afro 1400 vendparkime, ndërkohë që do të ketë edhe parkime të dedikuara për personat me aftësi të kufizuar, parkime të dedikuara për makinat, të cilat funksionojnë me energji dhe janë të karikueshme, ndërkohë që krahas kësaj do të ofrojë dhe shërbimin e specializuar në tarracën e godinës për helikopterët për të siguruar dhe garantuar dhe shërbimet e urgjencës me cilësi.”, shpjegoi Ministrja Koçiu.
Duke vlerësuar punën e bërë ndër vite, Kryeministri tha se transformimi i deritanishëm po e plotëson gradualisht vizionin me të cilin nisi gjithçka.
“Ky ishte vizioni i nisjes, i gjithë transformimit. Këtu ishte një pazar i madh me rroba, fruta-perime, kinkaleri. Ishte që të arrinim pikërisht këtu dhe kjo faktikisht është një nyje që zgjidhet tani se duke u bërë parkimi i përbashkët në një godinë të përqendruar, duke u shpallur QSUT e gjitha këmbësore dhe asnjë makinë më s’lëviz asgjëkundi në QSUT përveç makinës së urgjencës, gjithë pjesa publike jashtë godinave duhet të transformohet në një park. Kjo është gjëja që duhet të bëjmë! Duhet bërë një investim fundor këtu tani. Gjithë çfarë ka jashtë perimetrit të godinave të lulëzojë edhe me vepra arti përveçse me gjelbërim, edhe me vepra arti dhe kjo do ta përmbylli procesin!”, u shpreh Kryeministri.
Godina ka të parashikuar dhe një strukturë akomoduese, jo vetëm për familjarët e pacientëve, një strukturë hotelerie, por edhe për këdo student, mjek, ekspert që vjen këtu dhe merret me ngritjen dhe formimin profesional të stafeve./abcnews.al