Parashikimi i NASA-s: Njerëzit mund të jetojnë në hënë brenda kësaj dekade

schedule21:05 - 19 Nëntor, 2022

schedule 21:05 - 19 Nëntor, 2022

“Njerëzit mund të qëndrojnë në Hënë për periudha të gjata kohore gjatë kësaj dekade”, tha një zyrtar i NASA-s për BBC.

Howard Hu, kreu i programit të anijes hënore të NASA-s, Orion, tha se habitatet do të nevojiten për të mbështetur misionet shkencore.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se lëshimi i raketës Artemis, që mbart Orionin, ishte një ditë historike për fluturimet njerëzore në hapësirë. Orioni është aktualisht rreth 134,000 kilometra nga Hëna.

Në hundën e raketës ndodhet anija kozmike Orion, e cila për këtë mision të parë është pa pilot, por e pajisur me një “bedel humanoid” që do të regjistrojë efektet e fluturimit në trupin e njeriut.

Fluturimi i së mërkurës pasoi dy përpjekje të mëparshme nisjeje në gusht dhe shtator, të cilat u ndërprenë për shkak të problemeve teknike.

Hu vuri në dukje se të shikoje Artemis të ngrihej ishte një ndjenjë e pabesueshme dhe një ëndërr e realizuar.

“Është hapi i parë që po bëjmë për eksplorimin afatgjatë të hapësirës së thellë, jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për botën”, tha ai.

“Dhe unë mendoj se kjo është një ditë historike për NASA-n, por është gjithashtu një ditë historike për të gjithë njerëzit që e duan fluturimin njerëzor në hapësirë ​​dhe eksplorimin e thellë të hapësirës. Dua të them se ne po kthehemi në Hënë, ne po punojmë për një program të qëndrueshëm dhe ky është mjeti që do të transportojë njerëzit që do të na zbresin përsëri në Hënë”, shtoi ai.

Ai më pas shpjegoi se nëse fluturimi aktual i Artemis do të jetë i suksesshëm, atëherë misionii ardhshëm do të jetë i ekuipazhuar, i ndjekur nga një i tretë, ku astronautët do të zbresin përsëri në Hënë për herë të parë që nga Apollo 17 50 vjet më parë, në dhjetor 1972.

Misioni aktual po përparon mirë, i tha ai BBC-së, me të gjitha sistemet që funksionojnë dhe ekipi i misionit po përgatitet për ndezjen e radhës të motorëve të Orionit në mesditën e së hënës për ta vendosur anijen kozmike në një orbitë të largët rreth Hënës.

Një nga fazat më kritike të misionit Artemis I është kthimi i sigurt i modulit Orion në Tokë. Ai do të rihyjë në atmosferën e planetit me një shpejtësi prej 38,000 km/h, pra 32 herë më shumë se shpejtësia e zërit, dhe mburoja në pjesën e poshtme të tij do të kalojë nëpër temperatura që i afrohen 3000 Celsius.

Pasi komponentët dhe sistemet e Artemis testohen dhe provohen të sigurta, Hu tha se plani është që njerëzit të jetojnë në Hënë brenda kësaj dekade.

Një arsye për t’u rikthyer në Hënë është për të zbuluar nëse ka ujë në polin jugor të satelitit, shtoi ai, sepse ai mund të shndërrohet në lëndë djegëse për anijet që shkojnë më thellë në hapësirë ​, për shembull në Mars.

“Ne do të dërgojmë njerëz në sipërfaqen e saj dhe ata do të jetojnë atje dhe do të bëjnë shkencë”, tha Hu. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!