Paralajmëron Gjermania: Brenda 5-8 vitesh, Rusia mund të sulmojë NATO-n

schedule15:04 - 22 Mars, 2024

schedule 15:04 - 22 Mars, 2024

Kreu i forcave të armatosura të Gjermanisë, Inspektori i Përgjithshëm Carsten Breuer, i ka bërë thirrje vendit të tij që të zhvillojë me shpejtësi mbrojtjen raketore për shkak të kërcënimeve të mundshme nga Rusia.

“Kemi pesë deri në tetë vjet kohë. Brenda kësaj periudhe ne duhet të zhvillojmë një sistem të mbrojtjes raketore. Nuk ka asnjë alternativë tjetër”, tha gjenerali Breuer.

“Ne besojmë se Rusia do të jetë e aftë të luftojë kundër shteteve të NATO-s brenda një periudhe prej pesë deri në tetë vjet. Deri atëherë, edhe ne në Gjermani duhet të jemi në gjendje ta zmbrapsim një sulm të tillë”, theksoi ai.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk i ka fshehur synimet e tij ndaj Perëndimit, tha gjenerali Breuer, duke shtuar megjithatë se një sulm ndaj një vendi perëndimor është aktualisht skenari më i keq.

Sidoqoftë, mund të ndodhë “në të gjithë spektrin, nga sulmet kibernetike te dronët dhe raketat”. Qeveria gjermane ka krijuar një fond special prej 100 miliardë eurosh për të përmirësuar Bundeswehr-in, forcat e armatosura gjermane.

“Pjesa më e madhe e pajisjeve është porositur, por ende nuk ka arritur te trupat në masën që unë do të doja”, tha Breuer, i cili i konsideron 100 miliardë euro si “financim fillestar”.

“Ne duhet të stabilizojmë shpenzimet e mbrojtjes. Buxheti i mbrojtjes duhet të mbetet në terma afatgjatë në 2% të prodhimit ekonomik”, theksoi ai.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!