Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar se Shqipëria mund të jetë objektiv i sulmeve të grupeve të lidhura me Iranin.
Institucioni u kërkoi qytetarëve amerikanë që të shtojnë vigjilencën, pasi kërcënimet e mundshme mund të shënjestrojnë anëtarë të opozitës iraniane që ndodhen në territorin shqiptar, si dhe vende të tjera të frekuentuara nga publiku.
“Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë ndërprerë prej vitesh. Që nga viti 2013, në Shqipëri qëndrojnë rreth 3,000 anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, grup kundërshtar i regjimit aktual iranian, të cilin Teherani e konsideron “armik terrorist.”
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë dhënë për revistën franceze “Le Point”, tha se shqiptarët nuk kanë frikë. Ai solli si shembull Luftën e Dytë Botërore, kur askush nuk i donte hebrenjtë, por Shqipëria edhe pse e varfër dhe kryesisht myslimane u bë strehë e tyre./abcnews.al


