Paralajmërimi i ministrit: Ekonomia e Gjermanisë gjendet në “ujëra të trazuara”

schedule07:27 - 22 Shkurt, 2024

schedule 07:27 - 22 Shkurt, 2024

Ekonomia e Gjermanisë është në “ujëra të trazuara”, sipas ministrit gjerman të Ekonomisë.

Robert Habeck ka thënë se parashikimi i qeverisë gjermane për rritjen ekonomike për vitin 2024 ka rënë nga 1.3% në 0.2%.

Kjo nënkupton se ekonomia më e madhe evropiane ka ngecur, ndonëse e ka evituar hyrjen në një recesion të plotë.

Habecku më parë e kishte quajtur situatën me ekonominë e Gjermanisë “dramatikisht keq”, raportoi BBC-ja. Ndërkaq, të mërkurën, ai ka thënë se Gjermania është goditur nga një “situatë shumë specifike”, si pasojë e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, pasi industritë e saj me energji intensive vareshin nga gazi rus.

Mbështetja e Gjermanisë në eksportet e bëri atë veçanërisht të prekshme ndaj ndryshimeve në modelet e tregtisë globale, ka thënë ministri gjerman, dhe se problemi më i gjerë strukturor për ekonominë gjermane ishte mungesa e punëtorëve.

“Pa punëtorë migrantë ekonomia e Gjermanisë do të kolapsonte”, ka shtuar Habeck.

Shteti në fakt mund të ketë rrëshqitur në recesion, sipas një paralajmërimi nga banka qendrore e Gjermanisë, Bundesbank.

Në raportin e saj mujor, Bundesbank ka thënë se prodhimi ekonomik mund të “ulej sërish pak në tremujorin e parë të vitit 2024”. Dy tremujorë negativë me radhë do ta fusnin Gjermaninë në të ashtuquajturin recesion teknik.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!