Në Kazermën “Adem Jashari” në Kosovë u zhvillua parakilimi i parë i ushtrisë më të re në botë. Liderët e shtetit duke folur në ceremoni siguruan Bashkimin Europian dhe NATO-s se ushtria do të shërbejë për garantimin e paqes.
Kjo ishte paraqitja dhe parakalimi i tyre i parë si ushtarë të Kosovës. Në kazermën “Adem Jashari” u zhvillua ceremonia zyrtare e mandatimit të Ushtrisë, pas miratimit të tri projektligjeve në kuvend. Në këtë event morën pjesë krerët më të lartë të shtetit të Kosovës. Gjatë fjalës së tij, presidenti Hashim Thaçi siguroi edhe njëherë se ushtria e vendit do të kontribuojë për garantimin e paqes. Në foltore doli edhe kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, i cili dhe ai foli për paqe.
Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës: “Paqen e kemi fituar me shumë dhimbje, jemi tu ardhur të fundit në paqe dhe të fundit do e lëmë. Amerika i prinë këtij rresht; e ne jemi krenar që jemi përkrah tyre. Sot janë gëzuar edhe varret. Edhe ushtarët e Ibrahim Rugovës janë gëzuar sot por edhe ushtarët e Adem Jasharit. Kurrë ushtria e Kosovës nuk ka me u kthyer kundër popullit saj e as ndaj serbëve qe janë në veri. I ftojmë ushtritë e rajonit për paqe, edhe atë të Serbisë. Zoti e bekoftë ushtrinë e Kosovës”.
Në të njëjtën linjë me dy drejtuesit e shtetit ishte edhe kryetari i kuvendit.
Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës: “Ne kemi qenë dhe do të jemi në miqësi të përhershme me SHBA, dhe vendet perëndimore. Ushtria e Kosovës do të jetë vazhdim i përcaktimit tonë human. Kjo do të thotë një ushtri për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes. Ushtria e Kosovës do të jetë uniform nderi e krenarie për kosovarët e Kosovës, serbët, turqit e gjithë komuniteteve në Kosovë. Uniforma e ushtrisë do të jetë uniformë e paqes”.
Ndërkohë, gjatë fjalimit të tij, Veseli pati një falenderim të veçantë për Luan Haradinaj, nipin e kryeministrit, i cili mban emrin e heroit të luftës dhe tashmë shërben në ushtrinë e Kosovës. Veprimi i tij u përshëndet nga të pranishmit. Në fund liderët shtetërorë kryen dhe një inspektim të shkurtër të ushtrisë së vendit.