Në Kroaci mbahen këtë të martë provat gjenerale për paradën e madhe ushtarake që shënon 30 vjetorin e operacionit “Stuhia”. Ky operacion shënoi betejën e fundit të madhe të luftës për pavarësi dhe një fitore kundër Serbisë.
Serbia nuk ka ngelur pa reagim. Përmes Ministrisë së Jashtme këshillon qytetarët e Republikës së Serbisë që të shmangin tubimet që sipas tyre mund të çojnë në incidente nëse ndodhen në Kroaci gjatë periudhës së lartpërmendur, ndërsa për ata qytetar që nuk ndodhen aty, kjo ministri këshillon që mos të udhëtojnë drejt Kroacisë për një periudhë 10 ditore.
Në një intervistë në emisionin “Balkan Update” në ABC News, Ermira Perlaskaj-Këshilltare në Ministrinë e Jashtme kroate foli për rëndësinë e kësaj parade, duke u shprehur se është një mesazh që tregon se me sa sakrificë është mbrojtur shteti kroat.
Sa i përket reagimeve nga ana e Serbisë, Perlaskaj i cilësoi thjesht si një propagandë, pasi Kroacia ka treguar se “është qendër e stabilitetit në Ballkan”.
“Një mesazh për të treguar se sa me sakrificë është mbrojtur shteti kroat dhe se sa duhet të vazhdojë të mbrohet. Sa për rrezikun që përflitet mund të them se është vetëm një antipropagandë. Pasi Kroacia asnjëherë nuk ka bërë ndonjë promovim që ka bëjë me rrezikun dhe cënimin e kufijve serb dhe mendoj që është thjesht një lojë e Serbisë. Në këtë paradë janë të ftuar të gjithë ata që janë miq të Kroacisë. Do të jetë edhe një homazh për ata që e kanë dhënë jetën për vendin”, tha ajo.
Gjithashtu theksoi se Kroacia është duke financuar në teknologjinë e re dhe në Ushtrinë Kroate.
“Sa për teknologjinë edhe armatimin po ndan një buxhet shumë të fuqishëm, pasi është pjesë e NATO-s dhe punon edhe për sigurimin e kufijve të shteteve të tjera, do të jetë një qendër e stabilitetit këtu në Ballkan. Ndërsa interesi i Kroacisë është që të avancohet marrëveshjet me aleatët e saj si Shqipëria dhe Kosova. Por nëse dëgjojnë deklaratat e serbë mendoj që është thjesht propagandë, pasi kemi parë viktimizim të Beogradit. Ne do të kemi avancim të ushtrisë jo vetëm asaj kroatë por edhe asaj shqiptare dhe kosovare”, u shpreh ndër të tjera ajo.
/abcnews.al/

