Parada e shqiptarëve/ Veliaj jep detaje: I kushtohet kulturës dhe artit, sfidon mentalitetin e paradave ushtarake

schedule17:28 - 27 Nëntor, 2023

schedule 17:28 - 27 Nëntor, 2023

Në 28 Nëntor, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të vishet kuq e zi. Të gjitha bashkitë e trojeve shqiptare, përfshirë edhe arbëreshët e Italisë do të jenë në kryeqytet për të festuar së bashku 111-vjetorin e Pavarësisë. Kryebashkiaku Erion Veliaj, në një intervistë për ABC News dha më shumë detaje.

Veliaj u shpreh se është një paradë që i dedikohet kulturës dhe artit duke shtuar se sfidon mentalitetin e paradave ushtarake. Siç shtoi kryebashkiaku gjatë intervistës, parada do të zgjasë disa orë ndërsa në darkë pritet që të ketë një rikthim të festivalit të Gjirokastrës por këtë herë në kryeqytet.

Kemi marrë të gjitha masat që kemi një paradë, e cila sfidon pak edhe mentalitetin tonë. Fjala paradë për brezin tonë ishte një paradë që i dedikohej forcave ushtarake, disiplinës së rreptë të marshimit, kështu që është edhe një mënyrë për të ndryshuar pak konotacionin që ka pasur fjala paradë. Kështu që për ne është hera e parë që bëjmë një paradë, jo dedikuar ushtrisë apo armiqve imagjinarë por kulturës, artit, kostumeve, komuniteteve të ndryshme, duke filluar nga të gjitha bashkitë e rajonit, që janë pjesë e unionit tonë shqipfolës. Bashkitë janë rreth 43 skuadra nga përfaqësues nga arbëreshët, që kanë qenë refreni i samitit të diasporës dhe dedikimi i vëmendjes publike dhe politike për këtë fundvit.

Kemi edhe disa grupe motoristësh nga Teksas apo përfaqësues të shoqatave të policëve të New York-ut, New Jersey-t. Do të shikoni njerëz mbi kuaj, mbi autobus kuq e zi. Kam përshtypjen, sidomos për fëmijët, do të jetë diçka e paharrueshme. Do të bëjmë më të mirën pavarësisht kufizimeve të motit. Parada zgjat disa orë. Dita vazhdon në mbrëmje me një rikthim të festivalit të Gjirokastrës në zemër të Tiranës, me grupet më mbresëlënëse të festivalit të fundit në sheshin Skënderbej. Në 29 do të vijojmë me ceremonitë protokollare. Sot ishim me fëmijët duke mbjellë 111 pemë në këtë 111 vjetor në varrezat e Dëshmorëve dhe ndërkohë ngryset me natën e bardhë prapë në sheshin Skënderbej, ku pas muzikës folk do të jetë edhe muzika moderne shqiptare, me artistë më në zë, që do të kapin stafetën e natës së bardhë, një traditë e nisur kur Rama ishte kryetar bashkie. Do të jenë dy netë të paharrueshme. Në thelb duke ruajtur një sens sportiviteti dhe krenarie që në këto 111 vite shqiptarët nuk janë në ditët më perfekte por në më të mirat.“, u shpreh Veliaj.

 

Policia e Shtetit do të angazhojë rreth 700 efektivë për paradën, ndërsa forca elitë “Shqiponja” do të jetë pjesë e paradës për të dhënë shfaqje me motorë. Që në mëngjes, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në sheshin “Nënë Tereza”, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, si dhe rrugët përreth Sheshit “Skënderbej”, deri në përfundim të paradës dhe festimeve./abcnews.al