Numri i personave të papunë në Shqipëri ka vijuar të ulet përgjatë vitit 2025. Të dhënat zyrtare konfirmojnë se shkalla e papunësisë zbriti në 8.1%, duke shënuar nivelin më të ulët historik në 5 vitet e fundit. Ky është një tregues optimist që reflekton ecurinë pozitive të ekonomisë në vend.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i të punësuarve për popullsinë 15 vjeç e lart ka arritur në 1.178.604 persona, me një rritje prej 0,7%.
Ndikimin kryesor në rritjen e punësimit e ka dhënë sektori i shërbimeve, i lidhur ngushtë me turizmin, me 3.7%, si edhe industria me 2.1%. Ndërkohë, një rënie të fortë ka regjistruar punësimi në sektorin bujqësor.
Nga të dhënat e INSTAT vërehet se shkalla e papunësisë është më e ulët për burrat dhe më e lartë për gratë. Vlen të theksohet se në tremujorin e tretë të vitit 2025, shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15–29 vjeç ka qenë 15.0%, duke u ulur me 2.8 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Po ashtu, sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto ka shënuar rritje, duke arritur në 83,300 lekë, ose 7.3% më shumë se një vit më parë. Rritja më e madhe e pagave u regjistrua në sektorin e ndërtimit, ndërsa sipas profesioneve, rritje më të lartë patën zejtarët, artizanët dhe profesione të lidhura me to.
Niveli i papunësisë
- Tremujori i tretë 2025: 8.1%
- Tremujori i dytë 2025: 8.5%
- Tremujori i parë 2025: 8.7%

