Eksperti i punësimit, Arbër Xhihani, në një intervistë në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, ka folur për zhvillimet në tregun e punës, sfidat e bizneseve dhe nivelin e të ardhurave në vend.
Sipas Xhihanit, fuqia punëtore në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më kërkuese, jo vetëm për rritjen e pagave, por edhe për përmirësimin e kushteve të punës. Ai theksoi se rritja e pagave nuk ka qenë e mjaftueshme për të garantuar kënaqësinë e punonjësve.
“Fuqia punëtore po bëhet gjithnjë e më kërkuese. Jo vetëm për rritje të pagave, por edhe për kushte. Referuar të dhënave, rritja e pagës duket se nuk ka qenë elementi i kënaqësisë”, u shpreh ai.
Duke analizuar modelin ekonomik të vendit, eksperti vuri në dukje se ekonomia shqiptare mbetet e lidhur ngushtë me ndërtimin dhe turizmin, ndërsa shtoi se performanca pozitive në mbledhjen e të ardhurave nga ana e qeverisë duhet të reflektohet edhe në mbështetjen e shtresave më në nevojë.
Xhihani kërkoi një rishikim të politikave të të ardhurave për të ndihmuar punonjësit që përballen me vështirësi ekonomike, si dhe kategoritë vulnerabël, përfshirë pensionistët.
Ai theksoi gjithashtu se vlerësimi i klimës së biznesit nuk duhet të bazohet vetëm te numri i regjistrimeve të reja, pasi sipas tij ka pasur edhe një numër të konsiderueshëm biznesesh që kanë ndërprerë aktivitetin.
“Nuk duhet të kënaqemi vetëm me hapjen e regjistrimeve të reja sa i përket bizneseve, sepse ka pasur edhe një numër shumë të madh të bizneseve të mbyllura”, deklaroi Xhihani.


