Në emisionin “Real Story” në Abc News, pastori protestant Ylli Doçi ka komentuar mbi figurën e Papa Leonit XIV, duke e përshkruar atë si një lider të aftë dhe të paparashikueshëm, me potencial për të sfiduar ideologjikisht dhe kulturalisht dominimin protestant në SHBA.
Sipas pastorit Doçi, zgjedhja e Papa Leonit XIV, i cili vjen nga një sfond minoritar katolik në një shoqëri me shumicë protestante, i jep atij një pozicion unik në drejtimin e Kishës Katolike.
“Do të kemi një Papë të paparashikueshëm. Një Papë i aftë, i cili është rritur në kishë dhe në një realitet ku katolikët janë pakicë, në Amerikë kemi 60% protestantë dhe rreth 25% katolikë,” –u shpreh pastori Doçi.
Ai shtoi se përvoja e Papa Leonit në një kontekst të tillë minoritar e përgatit atë për të përballuar presionet ideologjike dhe kulturore të shumicës protestante në SHBA.
“Kjo nënkupton një fuqi të veçantë për t’i bërë ballë një hegjemonie të tillë. Ai, duke qenë edhe një Papë augustinian, është një prej figurave teologjike të rëndësishme për protestantët, ai na njeh ne shumë mirë,” tha Doçi.
Megjithatë, pastori shprehu edhe një shqetësim personal në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve mes dy konfesioneve.
“Unë si protestant jam pak i merakosur, sepse rrjedha mes protestantëve dhe katolikëve do të rritet,” – paralajmëroi ai.
Në fund, Doçi e vlerësoi lart kapacitetin dhe origjinalitetin e Papës së ri, duke theksuar se ai do të mbajë disa prej qasjeve të Papa Françeskut, por do të ecë në rrugën e vet.
“Është një Papë jashtëzakonisht i aftë, por i paparashikueshëm do të mbajë ato që i pëlqejnë nga Papa Françesku, por do të vazhdojë të ecë në gjurmët e tij origjinale,” përfundoi Doçi./abcnews.al