Panuçi në tension në prag të Izraelit

schedule13:05 - 11 Tetor, 2018

schedule 13:05 - 11 Tetor, 2018

Kristian Panuçi, nën presion të madh në prag të ndeshjes vendimtare ndaj Izraelit në Ligën e Kombeve. Trajneri flet për mungesat dhe nuk premton rezultat, ndërsa ka kritika nga presidenti Duka.

Mbetëm me një fitore në 6 ndeshje. Rezultatet nuk janë aspak të mira, edhe pas barazimit me Jordaninë, dhe trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi, për një moment nuk e përballoi dot presionin. Kjo u duk kur refuzoi të fliste për “Supersportin”.

Një moment dobësie, padyshim, ndonëse jo i vetmi në futboll, pasi mjafton të kujtojmë se Sër Aleks Fergusoni nuk foli për të famshmen BBC për plot 7 vjet. Panuçi, gjithsesi, doli në konferencë për mediat, por nuk premtoi rezultat në Izrael, për Ligën e Kombeve.

“Unë nuk mund t’i blej lojtarët në kombëtare. Në këtë moment, jemi këta që jemi, në këtë ndeshje bëra 6 zëvendësime, ndërsa shumë titullarë nuk luajtën. Jam i detyruar qëë të bëj ndryshime. Nëse do t’i kishim të gjithë lojtarët, do ta kisha një ide më të qartë. Në ndeshjet e para, Lihtenshtajn, Maqedoni, Spanjë, Itali, luajtëm vazhdimit me skemën 4-3-3. me Turqinë po ashtu. Kur nuk i ke lojtarët, do të ndryshosh. Gjithsesi, unë jam i bindur se kjo skuadër mund të shkojë në Izrael dhe t’ia dalë, por kemi shumë mungesa”, tha ai.

Italiani kurseu disa nga lojtarët për Izraelin, duke bërë shumë ndryshime. Hysaj, Memushaj e Basha ishin disa nga ata që nuk luajtën, ndërsa trajneri u pyet për shqetësimet në mbrojtje.

“Të shohim sesi do të luajmë në Izrael. Tani duhet të rikuperojmë. Mavraj kishte 9 muaj që nuk luante, sapo ka nisur tek Arisi. Edhe Gjimshiti ka luajtur pak, ndaj doja që të lodheshin më pak. Për fat të keq, Gjimshiti luajti 90 minuta sepse Mihaj u dëmtua. Të shohim edhe sesi do të luajë Izraeli, por nuk është problemi nëse luajmë me tre apo me katër, por sesi të shënojmë gol, sepse luajmë mirë por nuk shënojmë”, u shpreh trajneri.

Një sinjal jo plotësisht pozitiv erdhi nga kreu i Federatës, Duka. Gjithsesi, pak besohet se trajneri rrezikon postin, edhe nëse nuk ia del në Izrael. Burime në Federatë bëjnë me dijë se Duka nuk do të nxitohet, pavarësisht nga ecuria negative. Problemet kanë qenë të shumta, ndërsa nuk do të ishte e lehtë të nisej tani gjithçka nga e para./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!