Panuçi i rikthehet De Biazit

schedule13:10 - 3 Qershor, 2018

schedule 13:10 - 3 Qershor, 2018

Pritet reagim nga kombëtarja shqiptare në miqësoren e sotme ndaj Ukrainës në orën 16:00. Trajneri Panuçi është i bindur se nuk do të përsëritet ajo që ndodhi me Kosovën.

Kjo disfatë bëri shumë dëm dhe nuk duhet të përsëritet.

Kombëtarja e Shqipërisë, por sidomos trajneri i saj, Kristian Panuçi, ndodhen në një pozicion tepër delikat në prag të miqësores ndaj Ukrainës, pas asaj që u ndodhi kundër Kosovës.

Kritikat e ashpra dhe vetë ajo që u paraqit në fushë bënë që tekniku italian të ndryshojë shpejt, dhe të kthehet prapa.

Formacioni që do të zbresë në fushë në orën 16:00 ndaj ukrainasve do të ketë ndryshim rreth 50 për qind në krahasim me atë që ishte në stadiumin e Zyrihut, ndërsa skema do të jetë ajo që përdorte De Biazi, 4-1-4-1.

Titullarë priten Mavraj e Lenjani, e po ashtu Lilaj para mbrojtjes, ndërsa mesfusha do të ketë pak lëvizje, me Roshin, Ramadanin, Ndojin.

Ndryshimi i vetëm mund të jetë Gavazaj ose Abazaj në krahun e majtë.

Në sulm, luhet vetëm me një lojtar, diçka që jep më shumë siguri për një ekip me emër të vogël si Shqipëria.

Vetë Panuçi tregon sesi e përgatiti ndeshje.

“Folëm me njëri-tjetrin, ishim ballë për ballë. Mendoj se ishte gjëja më e lehtë për ta përgatitur këtë ndeshje, pasi djemtë kanë dëshirë të madhe të reagojnë pas asaj që ndodhi ndaj Kosovës. Jam i bindur se këtë herë do të nxjerrin në pak krenarinë dhe vullnetin për t’u paraqitur mirë, dhe pastaj do të shkojnë me pushime”.

Çfarë do të ndodhë nëse skuadra sërish dështon si me Kosovën?

“Le të flasim pas ndeshjes, por jam i bindur se do të jetë ndryshe. Pastaj, në futboll mund të ndodhë që të fitosh, të humbasësh apo të barazosh, por rëndësi ka loja që do të zhvillojmë. Jam i bindur se ndeshje si ndaj Kosovës nuk do të përsëritet”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!