Panuçi i bindur për fitoren ndaj Skocisë

schedule22:46 - 16 Nëntor, 2018

schedule 22:46 - 16 Nëntor, 2018

Në prag të ndeshjes me Skocinë, dolën para mediave trajneri i kombëtares Christian Panucci dhe kapiteni Mërgim Mavraj. Në fjalën e tij trajneri italian nuk i diskutoi tre pikët. Në krahun tjetër, Mavraj tha se gabimet në të kaluarën nuk duhet të përsëriten më.

Kombëtarja shqiptare do të luajë këtë të shtunë ndeshjen ndaj Skocisë e vlefshme për Nations League. Në prag të këtij takimi, trajneri Christian Panucci tha se Shqipëria ka mundësi të shkëlqyera të koleksionojë fitoren.

“Nesër do të mundohemi për të shënuar gol. Në Izrael kemi pasur raste pavarësisht se nuk finalizuam në gol. Shpresojmë për rezultat pozitiv. Gjithmonë kur kam qenë këtu i kam inkurajuar lojtarët e mi. Duhet të ruajmë ekuilibrat dhe do të synohet fitorja. Grezda është stërvitur gjithë javën dhe dje ka kërkuar me luajtur prapë, por unë e kam refuzuar. Ndoj ka prapë disa probleme. Do të rikthehet Shqipëria e fortë. Ju i referoheni gjithmonë ndeshjes me Kosovën dhe Ukrainën. Sigurisht që rezultatet kanë rëndësinë e tyre. Nuk është e vërtetë që skuadra është dorëzuar. Dua të theksoj se performanca më e mirë ka qenë me Izraelin”.

Në lidhje me problemet e skuadrës, Panucci ritheksoi se skuadra duhet të komunikojë më tepër.

“Është e vërtetë që skuadra nuk komunikon shumë në fushë. Këtë e dimë të gjithë. Nëse lojtarët arrijnë ta kalojnë këtë lidhjen e komunikimit do të jetë diçka shumë e mirë. Duhet të shohim nesër sesi do të sillen në fushën e lojës, kjo ka për të ndihmuar shumë në lidhje me rezultatin”.  

Në konferencë doli edhe kapiteni i kombëtares, Mërgim Mavraj, i cili tha se të gjithë lojtarët kanë përgjegjësi në rezultatet negative./abcnews.al