Panuçi: Gurit i duhet Europa për Kombëtaren

schedule15:53 - 11 Maj, 2018

schedule 15:53 - 11 Maj, 2018

Sulmuesi kryesor i Superligës, Sidrit Guri, duhet të transferohet në Europë, që të ketë mundësi të luajë rregullisht me Kombëtaren. Kjo është këshilla që i jep trajneri Kristian Panuçi

Është padyshim numri 1 I këtij kampionati.

Sidrit Guri po bën diferencën në sulm këtë sezon të Superligës, por kjo mund të mos mjaftojë për të fituar kombëtaren.

Pavarësisht golave të shumtë të shënuar, që po ndihmojnë Kukësin për në Europë e ndoshta për në Champions, sërish trajneri I përfaqësueses, Kristian Panuçi, pret diçka tjetër nga futbollisti ofensiv.

Panuçi: “Erdha të shoh lojtarët e kampionatit shqiptar. Thoni se nuk thërras në ekip këta të Superligës, dhe po vij t’i shoh. Pashë Gurin, le të shikojmë sesi do të shkojnë gjërat. Ai luajti mirë, shënoi dy gola, veçse niveli ndërkombëtar është diçka tjetër”.

Me dy rrjetat ndaj Teutës në Durrës, Guri arriti në 19 të tillë në 31 ndeshje të kampionatit, dhe presidenti i Kukësit, Gjici, po përpiqet të fitojë maksimalisht nga transferimi i tij i mundshëm.

Burime pranë klubit kuksian bëjnë me dijë se klauzola e caktuar për lojtarin është 1 milionë euro, e nxitur nga forma e tij në gjysmën e dytë të sezonit, me 15 rrjeta në 15 takime.

Guri është kërkuar nga Standard i Liezhit, Bryzhi, Genti e Sent Truideni në Belgjikë, Beshiktashi në Turqi, ndërsa trajneri i tij Pakult mendon se ai duhet të shkojë në Austri.

Gjithsesi, Guri pritet të jetë pjesë e kombëtares në miqësoret e radhës, por përveç tij vështirë të ketë ndonjë lojtar tjetër të Superligës.

Më herët Panuçi thirri Lilajn, Gavazajn e Abazajn, të cilët pritet të largohen nga Superliga, ndërsa të papritura të tjera nuk besohet të ketë.

Panuçi: “Tani nuk do të ndjek tjetër edhe pse do të ketë ndonjë lojtar të ri në kombëtare. Do ta merrni vesh kur të dalë lista e grumbullimit të radhës”. /abcnews.al