Antonio Conte shpërtheu në akuza kundër drejtuesve të Interit pas përfundimit të këtij sezoni në Serie A. Zikaltrit u shpallën nënkampionë me 82 pikë dhe Juventusi i vendit të parë numëroi vetëm një pikë më shumë.
“As puna ime dhe as puna e futbollistëve, nuk janë vlerësuar. Nuk kam gjetur mbështetjen e klubit kur kanë dalë zëra në media për pasardhësin tim. Nëse do te shkurtosh diferencën me Juventusin, duhet të jesh shumë i fortë brenda fushës së lojës, por sidomos jashtë saj“, u shpreh Conte pas fitores me Atalantën.
Tifozët e Interit kanë zgjedhur anën e trajnerit në këtë “luftë” brenda llojit. “Curva Nord”, tifogrupi më i madh i ekipit të njohur italian, ka shpalosur një pankartë të madhe, teksti i së cilës nuk ka nevojë për koment.
“Interistat e vërtetë janë me Conten“, lexohet në pankartën që ultrasit kanë vendosur afër zyrave të klubit. Një mesazh i qartë për drejtuesit dhe një mbështetje e madhe për trajnerin Conte, i cili konfirmoi gjatë ditës së djeshme dëshirën për të vijuar punën tek Interi. /abcnews.al