Turizmi malor është një mundësi qe Lezha po synon ta rikthejë. Vela shfaq më së miri këtë veçori. Mali me i lartë në këtë zone po orienton udhëtimin e vizitorëve të apasionuar pas ecjes, hiking apo alpinizëm.
Udhetimi drejt majës së Velës gërshetohet edhe me elemente të tjerë natyrorë, elemente kulturore e historik dhe të gjitha në Njësinë Administrative të Kolshit, 2 km larg qytetit te Lezhës.
“Kolshi është një zonë me potencial turistik mjaft të bollshëm. Këtu kanë objekte që janë lënë të degradohen por mundet të rikuperohen dhe banorët po bashkëpunojnë për të ndërhyrë në këto objekte kulti”, shprehet historiani Paulin Zefi.
Ngjitja është një shteg shumë interesant dhe që do të rrëmbejë diten tuaj ndërsa shihni asetet e kësaj zone.
“Një vizitor që vjen në këtë zonë, pavarësisht se duket e vogël, mund të plotësojë krejt ditën dhe më shumë duke vizituar objekte të trashëgimisë kulturore dhe monumente natyre”, thotë Zefi.
Së fundmi në zonë janë vendosur edhe tabela sinjalizuese dhe orientuese, harta që identifikojnë shtegun ndërsa ngjitja drejt majës është shënjuar me bojë që udhëtarët ta kenë më të lehte ngjitjen.
“Maja e Velës po bëhet mjaft e vizitueshme vitet e fundit për shkak të vlerave natyrore që ka”, thotë Renaldo Xhanej.
“Çdo njeri që mund të marrë rrugën drejt majës së Velës do të ndjehet mjaft mirë. Ka interes të vizitorëve për të dalë sepse këtu s’ka virus që të kap në një ambient kaq të pastër dhe ka edhe një pamje të bukur”, shprehet Aleksandër Ndoj
Shtegu ka gjera interesante, natyrë për të eksploruar, histori për të dëgjuar e gojëdhëna mitike. “Ka një legjendë që flet për një lajthi të madhe që kanë ngrënë në të 12 burra”, tregon historiani Zefi.
“Këtu është një rrugë që të dërgon tek një pemë që është mbi 500 vjeçare ku thuhet se janë lidhur edhe anije dhe fruti i saj ka qenë shumë i madh”, thotë Aleksander Ndoj, ish banor.
Në majë të Veles peizazhi që shfaqet është shumë i bukur. Të gjithë vizitoret qëndrojnë pak kohë të pushojnë para se të kthehen. Poshtë duket fshati Velë e Venit dhe shtëpitë e tij. Këtu duket sikur je në ajër dhe mbushesh me frymë.
“Ky është një fshat i vjetër por kushtet e vështira kryesisht për mungesë rruge ka sjellë braktisjen e fshatit. Së fundmi shohim tendencen e banorëve për t’u rikthyer dhe turizmi është faktori i parë. Kjo është një zonë e vogël por afron shumë”, shprehet Gjon Doda, kryeplaku i fshatit.
Infrastruktura ka bërë që fshati të braktiset. Këtë e pohojnë banorët qe kanë ikur dhe ata që vazhdojnë të jetojnë këtu.
“Turizmi malor në Velë ka resurse që mund të shfrytëzohen dhe zhvillimi i tij ka nisur. E rëndësishme është që këtu ka iniciativa por me angazhimin për të sistemuar rrugën atëherë edhe zhvillimi i turizmit mund të jetë më i madh. Iniciativat e para kanë nisur dhe kaq mjafton që ato të shumëfishohen në këtë zonë” , shprehet Fatjon Zefi, Administrator i Njësisë Kolsh.
Martin Fetaj ka ngritur një biznes të vogël familjar. Prodhimet lokale ai i ka vendosur në funksion të vizitorëve që udhëtojnë drejt majës së Velës.
“Ka shumë vizitorë në këtë zonë dhe kjo na bëri që të investojmë pavarësisht se njerëzit po ikin prej këtu. Duke pare që kanë interes për produkte lokale atëherë ngritën një restorant të vogël me prodhime të familjes tonë. Këtu prodhojmë verë, raki dhe gjithçka natyrale. Këtu kostoja për një drekë është e përballueshme prej të gjithëve dhe varion nga 1600 ne 2000 lek për person. Ky është një biznes familjar dhe gjithçka ofrohet nga prodhimet tona. Ka grupe të interesuarish që vinë këtu dhe vijojnë drejt majës së Velës. Përveç ngjitjes drejt majës mund të shohin edhe objekte kulti, të vjelin gështenja në periudhën e tyre. Po mendojmë edhe për të ngritur bujtinë. Rruga dhe energjia elektrike janë probleme dhe nëse zgjidhen këto do të bënte shume prioritet”, thotë ai.
Pavarësisht rrugës, vizitorët drejt kësaj maje mali janë të konsiderueshëm. Numri i tyre sa vjen dhe rritet në mënyre të vazhdueshme. /abcnews.al