Paloka: Skemë si me Tahirin, Berisha: Rama dhe ministrat pengje të Balilit

schedule17:14 - 15 Janar, 2019

schedule 17:14 - 15 Janar, 2019

Nuk ka vonuar qëndrimi i selisë blu për Klement Balilin e cila përmes nënkryetarit Edi Paloka thekson faktorin “vetëdorëzim” dhe jo arrestim në historinë e të shumëkërkuarit Balili, i përfshirë sipas demokratëve, në një skemë të kontrolluar dhe menaxhuar nga, dhe në pakt me kryeministrin Rama.

“Me vetëdorëzimin e Klement Balilit, pas kapjes së plotë të drejtësisë, Edi Rama po zbaton të njëjtën skemë të sofistikuar si me Saimir Tahirin: dorëzim i kontrolluar, hetim sipërfaqësor, çlirim nga akuzat e rënda për trafik droge.  Skema “Tahiri” do të funskionojë edhe për bashkëpunëtorin e tij, Klement Balili. Prandaj Drejtori i Transporteve të Edi Ramës, të cilin Partia Demokratike e denoncoi 5 vjet më parë si person kyç në trafikun ndërkombëtar të drogës, ka pranuar të vetëdorëzohet. Gjatë gjithë kësaj kohe, Klement Balili, ka patur mbështetjen e qeverisë së Edi Ramës. Ka jetuar në Sarandë dhe zonat përreth saj nën mbrojtjen e Edi Ramës. Megjithëse në kërkim ndërkombëtar, kompania e tij ka marrë, deri pak muaj më parë, 77 tendera nga qeveria e Edi Ramës, shumicën e tyre pa garë. Pasuria e tij, përfshirë edhe resortin luksoz në Sarandë, është ruajtur e paprekur nga qeveria e Edi Ramës”.

Një reagim në rrjetin social facebook e dha edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i pari i cili njoftoi përmes së njëttit portal vetëdorëzimin e Klemend Balilit.

“Balili u dorëzua, por Rama dhe ministra janë pengje të tij! Donin të mashtronin me Balilin, ta paraqisnin si arrestim. Ai nuk pranoi. Betejë e madhe për videot e orgjive të Ramës dhe ministrave në Santa Quaranta. Balili nuk dorëzon origjinalin, por kopje tek Ardi Veliu”.

Prej dy vitesh Kelmend Balili rezulton në listën e personave shumë të kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe ajo greke i dyshuar për përfshirje në narkotrafik ndërkombëtar. Në Greqi, Balili është i pagëzuar nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit”. /abcnews.al