Paloka: Komisioni i Ekonomisë rrëzoi 3 dekretet e Metës, Parlamenti noter i grabitjeve

schedule15:17 - 17 Qershor, 2020

schedule 15:17 - 17 Qershor, 2020

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ka akuzuar kryeministrin Rama, se ka rrëzuar dekretet e presidentit për të vjedhur shqiptarët për interesin e 5 okigarkëve.

Në një deklaratë për mediat Paloka thekson se në vend që akti i Presidentit të vlerësohej si një e mirë publike, Parlamenti ilegjitim u soll si noter i grabitjeve me firmën e Edi Ramës.

Gjithashtu ai thekson se ushtarët e Edi Ramës, në shkelje të çdo procedure minimale parlamentare, rrëzuan dekretet e Presidentit, duke i hapur rrugë plaçkitjes së mëtejshme të vendit me akte të mirëfillta korruptive.

 

Deklarata e plotë:

Prej 7 vitesh, qeveria e Edi Ramës është faktuar si një qeveri që i ka shërbyer interesit privat të disa oligarkëve dhe klientëve të Edi Ramës.

Qëllimi është vetëm një: pasurimi i pandalshëm i një grushti njerëzish, që financojnë në mënyrë të paligjshme Edi Ramën dhe ndajnë me të pasuritë e vendit, tokat në bregdet, taksat e shqiptarëve, lejet e ndërtimit, koncesionet dhe licencat ekskluzive miliona euroshe.

Miratimi i ligjeve speciale është një nga format që Edi Rama ka përdorur për të shpërndarë pasurinë e vendit vetëm tek pak njerëz të lidhur drejtpërsëdrejti me të.

Të tillë janë edhe tre ligjet e fundit që Presidenti i Republikës ktheu me të drejtë për rishqyrtim, ndryshimi për ligjin e tvsh-së, që favorizon jahtet luksoze, koncesioni i paligjshëm i Porto Romanos dhe ligji antikushtetues i shërbimit të pagesave.

Ligji i parë përjashton jahtet nga TVSH e karburantit. Pra, kush ka një jaht, do ta paguajë naftën shumë më lirë sesa shqiptarët që e blejnë atë bashkë me taksën “R Ligji I dytë u jep oligarkëve të Ramës, në mënyrë të paligjshme, të drejtën e ndërtimit të një porti privat dhe ligji i tretë hap rrugën për pastrimin e parave të trafikut të drogës, të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Të tre këto ligje që dëmtojnë interesin publik, që pasurojnë padrejtësisht një grusht klientësh të Edi Ramës, u kthyen në Kuvend nga Presidenti i Republikës.

Por në vend që akti i Presidentit të vlerësohej si një e mirë publike, Parlamenti ilegjitim u soll si noter i grabitjeve me firmën e Edi Ramës. Ushtarët e Edi Ramës, në shkelje të çdo procedure minimale parlamentare, rrëzuan dekretet e Presidentit, duke i hapur rrugë plaçkitjes së mëtejshme të vendit me akte të mirëfillta korruptive.

Me arrogancën e një pushtetit që nuk jep llogari tek zgjedhësit dhe me nxitimin e një regjimi në ikje, që vepron sipas parimit “kap ça t’kapësh”, Parlamenti i hoqi të drejtën Presidentit të dëgjohej në komisionet ku u shqyrtuan dekretet e kthyera prej tij.

Duke ftuar në dëgjesë vetëm qeverinë dhe duke shmangur Presidentin, në mënyrë të përsëritur, Kuvendi vetëm sa thellë paligjshmërinë, por nuk mundet të mbulojë grabitjen e shqiptarëve përmes ligjeve speciale të Edi Ramës.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka për detyrë të hetojë këto nisma korruptive ligjore që në fillesat e tyre. Pas tyre qëndrojnë peshqit me të mëdhenj të korrupsionit në vend, duke nisur me Edi Ramën dhe Arben Ahmetaj.

Duke çuar përpara përgjegjësisë penale ata që janë përfshirë në këto afera të pista që varfërojnë më shumë shqiptarët dhe që e përqendrojnë ekonominë në duart e disa grabitësve, SPAK do të kontribuojë në një nga arritjet më të mëdha, që politika, kryeministri dhe parlamenti të mos guxojnë kurrë më të bëjnë ligje vetëm për 1 apo 2 individë të lidhur me pushtetin./abcnews.al