Palmer në Beograd: Kosova të heqë taksën e vendosur ndaj Serbisë

schedule12:50 - 10 Qershor, 2019

schedule 12:50 - 10 Qershor, 2019

Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Metju Palmer, në përfundim të takimit me Presidentin serb Vuçiç në Beograd u shpreh se Kosova duhet të heqë taksën e vënë ndaj produkteve serbe. Sipas tij ajo është pengesë për dialogun Prishtinë – Beograd, në rrugën e tyre drejt BE-së.

Sipas mediave serbe, Palmer ka theksuar se Uashingtoni kërkon heqjen e kësaj tarife. Zyrtari amerikan shtoi se Samiti i Pairisit i cili është caktuar të mbahet me 1 korrik do të jetë konstruktiv dhe do t’i çojë “Prishtinën dhe Beogradin drejt marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç nga ana e tij u shpreh se me Palmer bisedoi për dialogun e bllokuar me Kosovën. Vucic theksoi se qëndrimet mbeten të ndryshme pasi SHBA mbështet pavarësinë e Kosovës, kurse Serbia e konsideron si pjesë të saj.

Ai po ashtu është ankuar për taksën ndaj mallrave serbe.

“E kam njoftuar se nuk është e vërtetë se Serbia ka shfrytëzuar taksën për të bllokuar dialogun me Kosovën. Nëse nuk jeni në gjendje të transportoni një biskotë te një shtet tjetër, ku është kuptimi të bisedoni me ta”, shtoi ai.

“I jam mirënjohës SHBA-së për mbështetjen e ofruar për rrugëtimin evropian të Serbisë. Më tepër kemi biseduar për Kosovën, por raportet tona janë të mira dhe mund të përmirësohen edhe më shumë”, theksoi ndër të tjera Vuçiç. /ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!