Palët në tryezë për Presidentin, Alibeaj: Opozita të propozojë 4 kandidatë, mazhoranca zgjedh dy mes tyre

schedule10:28 - 18 Maj, 2022

schedule 10:28 - 18 Maj, 2022

Opozita dhe maxhoranca janë ulur sot për të biseduar për presidentin e ri. I pari që mori fjalën ishte kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj i cili shpalosi edhe një herë qëndrimin e opozitës për këtë proces.

Ndërsa komentoi draftin e përgatitur me kriteret që sipas opozitës Presidenti i ri duhet të përmbushë, Alibeaj tha se e mira do ishte që pakica të propozjë katër kandidatë dhe mazhoranca mund të zgjedhë mes tyre dy. Më pas shkohet tek një kandidat i vetëm sipas formulës ekzistuese.

Ai theksoi se opozita me kërkesat e saj nuk po kushtëzon mazhorancën dhe as nuk po bën një lojë force apo provokim, por shtoi ai thjesht po kërkohet të vendoset një precedent që mund të ndiqet edhe në procese të ngjashme në vijim.

“Opozita të ketë të drejtën e propozimit. Për të qenë në frymën e konsensusit, shërbimi që duhet t’i bëjmë presidentit të Republikës, është menduar që të mos jetë një propozim i vetëm. Por një propozim i zgjedhuar që të ketë mundësi edhe pjesa tjetër që të jetë pjesë e procesit.

Do të propozojmë 4 kanditatura, mes tyre dy zgjidhen nga ana juaj. Pjesa tjetër është e thjeshtë, në arritjen e emrit final. Proces gjithëpërfshirës. Ky proces të shërbejë si precedent që mund të vijojë edhe në të ardhmen, edhe për procese të ngjashme. Cili është qëndrimi juaj. Nuk është kushtëzim, as lojë force, as provokim ndaj askujt. Është thjesht shërbim që i bëhet këtij procesi, për t’i dhënë baza të shëndosha presidencës 5-vjeçare,” tha Alibeaj. /abcnews.al