Pal Lekaj: Kryeministri Kurti i ka ftohur marrëdhëniet me SHBA, diplomacia s’bëhet me ‘teka’ personale

schedule17:31 - 6 Nëntor, 2024

schedule 17:31 - 6 Nëntor, 2024

TIRANË- Republikani Donald Trump fitoi zgjedhjet e 5 nëntorit duke u shpallur zyrtarisht president i 47-të i SHBA-së. Por si do të ndikojë në botën shqiptare, zgjedhja e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë?

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i ftuar në “Ballkan Update” tha se Kosova nuk i harron ndihmat që i ka dhënë SHBA, duke nisur që nga çlirimi deri në pavarësinë e vendit.

Ai shtoi se në administratën e Donald Trump, Kosova ka formuar ushtrinë e saj.

“Ne si Kosovë, historikisht, Amerikën e kemi patur dhe do ta kemi aleate strategjike, sepse ne nuk e harrojmë atë mbështetje në vite që na është bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa marrë parasysh se kush është president. Në administratën e Trump ne kemi krijuar ushtrinë e Kosovë dhe kemi dhe njohjen nga shteti i Izraelit. Trump mund t’i ndalojë luftërat”, tha ai.

Sipas Lekaj, me ardhjen e Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, Kosova do të përfitojë në pjesën e dialogut.

“Ne mendojmë se me ardhjen e z. Trump edhe Kosova do të përfitojë, sepse ne kemi një dialog me Serbinë dhe është stërzgjatur me vite të tëra dhe kemi marrëveshje, që ta njohim njëri tjetrin si shtet. Kosova do të përfitojë zgjidhje të shpejta”, tha ai.

Ai kritikoi Albin Kurtin, i cili siç thotë ai ka krijuar raporte të ftohta me SHBA.

“Ajo që është brengosëse, që qeveria Kurti i ka zbehur raportet me SHBA dhe me faktorin tjetër si BE, dhe kemi dhe masa ndëshkuese në vlerë 300 milionë euro. Nuk besoj më që Kurti do ta udhëheqë Kosovë”, tha ai.

Numri dy i AAK-së, Lekaj, tha se Kosova nuk ka rrugë tjetër përveçse të bashkëpunojnë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Duhet të jesh i çmendur, që të mendosh të prishësh raportet me SHBA. Mendoj se është dashur ndryshe, sepse nuk punonte në diplomaci me teka, por sido qe të jetë, mendoj se Kosova duhet të jetë e vetëdijshme për bashkëpunim dhe për raportet me SHBA, sepse ne jemi bashkëndërtues me SHBA, dhe nuk kemi ndonjë alternativë tjetër”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!