Buxheti 2027 dhe paketa fiskale kanë në fokus uljen e çmimeve, rritjen graduale të pensioneve dhe rishpërndarjen e të ardhurave. Ministri i Financave, Petrit Malaj, i ftuar në emisionin “Real Story”, bëri të ditur se qeveria po shqyrton mekanizma për të garantuar që ulja e TVSH-së të reflektohet drejtpërdrejt te çmimet për konsumatorët.
Ai theksoi se monitorimi do të përfshijë jo vetëm produktet e shportës, por edhe hidrokarburet. Sa i përket pensioneve, Malaj deklaroi se prioritet do të kenë fillimisht pensionistët me të ardhura më të ulëta, ndërsa në një fazë të mëvonshme do të merren masa edhe për ata që përfitojnë pension mbi 40 mijë lekë.
“Janë disa mekanizma që ne po i shqyrtojmë për të parë se si do të ulet çmimi pas uljes së TVSH-së. Edhe hidrokarburet, jo vetëm produktet e shportës, do të duhet që të monitorohen për të parë se sa do të ulen nga ulja e TVSH-së. Pensionistët nuk do të mbeten mbrapa. Por, si fillim, të ngremë pensionet e pensionistëve që i kanë më të ulëta. Më pas do të merren masa edhe për pensionistët që marrin pension mbi 40 mijë lekë”, tha ministri.
Ministri u ndal gjithashtu te ndryshimet e fundit në paketën fiskale, nga të cilat, sipas tij, përfitojnë rreth 30 mijë qytetarë, duke i cilësuar ato si pjesë të një politike të rishpërndarjes së të ardhurave dhe drejtësisë fiskale.
“Vetëm me ndryshimet më të fundit që bëmë në paketën fiskale, që përfitojnë janë rreth 30 mijë qytetarë. Nga kjo politikë dhe nga kjo paketë fiskale, kemi të bëjmë me një rishpërndarje të mirë të të ardhurave, vendosim një drejtësi fiskale. Kemi rritur tatimin mbi të ardhurat që vjen nga kapitali, por u kemi dhënë mbrapsht kësaj shtrese të mesme më shumë të ardhura”, shtoi ai.


